Paris 2024

Të martën pritja shtetërore për medalistet olimpike

Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu

Në orët e para të së hënës ekipi i Kosovës në xhudo është kthyer në shtëpi nga Parisi, ku mori pjesë në Lojërat Olimpike. 

Pjesëmarrja ishte shumë e suksesshme, duke siguruar për vendin edhe dy medalje olimpike. 

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu fitoi të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë. 

Ndërkohë Akil Gjakova u rendit i pesti. Për të nderuar medalistet, por edhe gjithë ekipin e kryemjeshtrit Driton Kuka, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon pritje shtetërore. 

Pritja bëhet në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, të martën nga ora 19:00. 

“Kjo mbrëmje i dedikohet festimit të arritjeve të tyre të jashtëzakonshme, punës së palodhur dhe medalje historike që kanë sjellë në shtëpi. Sportistët i kanë treguar botës fuqinë, vendosmërinë dhe talentin e Kosovës, duke na bërë të gjithëve krenarë”, shkruan në njoftimin e MKRS-së. 

Kjo ministri ka ftuar qytetarët që të bashkohen në festën e pritjes së xhudistëve. 

Falë ekipit të kryemjeshtrit Kuka, Kosova i ka pesë medalje në Lojërat Olimpike, ngjarjen më të madhe sportive.