Paris 2024

Sulimani e ka jetësuar ëndrrën

Musa Suliman

Atleti i Ekipit të Refugjatëve, Musa Suliman, është kthyer të enjten në “Stade de France” për garën e dytë në Lojërat Olimpike të Parisit. 

Pas dy tentimeve të pasuksesshme, Suliman nuk pati sukses as të enjten në garën e vrapimit 800 metra në repesazh. 

Përfundoi i teti në baterinë e dytë me kohën 1:50.11, prapa meksikanit Jesus Tonatiu Lopez, që avancoi në gjysmëfinale. 

Suliman është nga Sudani, ndërsa tani jeton në Bernë të Zvicrës. 

Lojërat Olimpike të Parisit ishin debutim për të. 

Ai nga Egjipti në vitin 2021 emigroi drejt Zvicrës. Fillimisht i ishte bashkuar një ekipi futbolli e më pas, 20-vjeçari u inkuadrua në atletikë. 

Dhe në një intervistë dhënë “Blickut” të enjten, ai ka thënë se e ka jetësuar ëndrrën. 

“Nëpërmjet vrapimit e kam gjetur veten. Sporti më ndihmon t’i kalojë sfidat. Falë sportit, jam integruar më lehtë, kam mësuar gjermanisht dhe kam takuar njerëz. Mos i dëgjoni njerëzit nëse ju thonë se nuk mund të arrini asgjë. Vetëm vazhdoni me punë sepse fitorja do të vijë”, ka thënë Suliman.