Fituesi i medaljes së artë olimpike në hedhje të shtizës, Arshad Nadeem, është pritur mes brohoritjeve nga mijëra përkrahës, kur solli në shtëpi medaljen e parë të artë olimpike të Pakistanit në atletikë, të dielën në mëngjes.
Nadeem u takua me familjen e tij, duke përfshirë babain që mbante një kurorë rreth qafës. Për ta pritur yllin e ri pakistanez dolën mijëra njerëz. Kishte thirrje “Rroftë Arshad Nadeem, rroftë Pakistani”. Ai arriti në qytetin lindor të Lahores.
27-vjeçari në garën e jashtëzakonshme për medaljen e artë e mposhti kampionin në fuqi, Neeraj Chopran e Indisë, që është rivale e madhe e Pakistanit. Nadeem vendosi rekord olimpik me hedhje prej 92.97 metra. Është hedhja e gjashtë më e mirë në histori.
Triumfi i tij shihet me admirim nga pakistanezët, që janë duke luftuar me krizë ekonomike dhe militantizëm në rritje.
Rrëfimi i Nadeemit është unik. Ai u rrit në një shtëpi të ndërtuar me tulla balte, në një zonë të varfër të Punjabit rural. Si i ri, kampioni olimpik stërviti në arat me grurë me shtiza të punuara nga vetë ai.
Mohammad Farooq udhëtoi për shumë orë nga qyteti i Sargodhas për t’iu bashkuar festës së mirëseardhjes për kampionin.
“Kam ardhur për ta mirëpritur kampionin tonë. Pakistani e ka pritur këtë moment për 40 vjet. Ka festë të dyfishtë më 14 gusht”, tha ai, duke iu referuar ditës së Pavarësisë së Pakistanit, që është të mërkurën.
Presidenti Asif Ali Zardari njoftoi të shtunën se Arshad Nadeemit do t’i jepet çmimi i dytë më i lartë i Pakistanit për arritjen në Paris.
“I jam falënderues Zotit të plotfuqishëm. Falënderoj prindërit e mi dhe shtetin pakistanez. Prapa këtij suksesi ka shumë punë të pandalshme nga unë dhe trajneri im Salman Butt”, ka thënë Nadeem para masës së njerëzve.