Paris 2024

Start kaotik i futbollit olimpik, Maroku fiton ndaj Argjentinës

Argjentina

Turneu olimpik i futbollit ka nisur me kaos dhe me dhunë të mërkurën, kur Maroku fitoi 2:1 ndaj dy herë fitueses së medaljes së artë, Argjentinës. 

Rezultati e tregon vetëm njërën pjesë të fundit dramatike në stadiumin “Geoffroy-Guichard” në Saint-Etienne. 

Ndeshja ishte suspenduar për afër dy orë kur tifozë të pakënaqur marokenë hynë në fushë dhe hodhën gota të plastikës nga shkallët e stadiumit. Ata nuk e pritën mirë golin e barazimit nga Argjentina, në minutën e 16 të kohës shtesë. 

Këto skena shkaktuan huti dhe nuk dihej nëse ndeshja kishte përfunduar apo kishte pauzë, ndonëse raportimet e para ishin për ndeshje të kryer dhe barazim 2:2. Shikuesve u tha se duhej të dilnin nga stadiumi, por futbollistët qëndruan. Më pas, futbollistët u kthyen në fushë për t’i zhvilluar edhe tre minutat e mbetur të kohës shtesë, në stadiumin e zbrazët. 

Pak momente pasi rinisi loja, goli i dyshimtë i Cristian Medinas u anulua pas rishikimit të situatës në VAR. Goli u anulua për pozitë jashtë loje dhe Maroku iu gëzua fitores. 

Reagimi i tifozëve marokenë ishte shumë i ashpër, pasi ata menduan se iu mohua fitorja kundër njërës prej superfuqive botërore në futboll. 

Shumë objekte u hodhën dhe tifozët e Marokut hynë në fushë, por u ndalën nga sigurimi. 

Kishte edhe pamje ku lojtarët e Argjentinës, të frikësuar, hynë në tunel. 

Fillimisht u mendua se ndeshja kishte përfunduar. Edhe faqja zyrtare e FIFA-s e kishte deklaruar ndeshjen të mbyllur. 

Një orë pas incidentit, organizatorët konfirmuan se ndeshja nuk kishte përfunduar dhe VAR-i duhej ta shikonte nëse goli ishte i rregullt. 

Lojtarët më pas hynë në fushë dhe nisën ngrohjet para se ndeshjes t’i vinte fundi. Gjyqtari kryesor u tregoi lojtarëve të Argjentinës pse goli u anulua, ndërsa ata të Marokut festuan. 

Pasi Argjentina e humbi ndeshjen e parë në turneun olimpik në Paris nga Maroku, kanë reaguar trajneri i Argjentinës, Javier Mascherano, si dhe superylli Lionel Messi. “Është cirku më i madh që e kam parë në jetën time”, ka thënë trajneri i Argjentinës, Mascherano. Ndërkohë, Messi e ka quajtur gjithë këtë situatë si të “pabesueshme”.

Maroku ishte duke fituar 2:0 para se Argjentina të kthehej në lojë me golin e Giulano Simeones në minutën e 68. Ai i Medinas shkaktoi skena kaotike. 

Fituesja e medaljes së artë në vitin 2004 dhe 2008 nuk ishte në formën më të mirë, pavarësisht se në skuadër kishte lojtarë si Julian Alvarez, Nicolas Otamendi e Geronimo Rulli, që së fundmi fituan Kupën e Amerikës. Golat e fitores për Marokun i shënoi sulmuesi Soufiane Rahimi. Në golin e parë u asistua nga Achraf Hakimi.