Olimpiada është ngjarja kryesore sportive në botë. Përjashto pak sporte, në Lojërat Olimpike paraqiten sportistët më të mirë në botë. Medalja olimpike, po ashtu, vlerësohet më e vlefshmja në sport, kulmi në karrierën sportive.
Sportet që janë në programin olimpik kanë vlerë dukshëm më të madhe se sportet që nuk janë pjesë e programit.
Por gjatë historisë në Lojërat Olimpike ka pasur edhe sporte goxha të çuditshme. Gjuajtja e pëllumbave, ndër të tjera. Apo noti me pengesa.
Rastësi apo jo, shumë prej sporteve më kurioze ishin në Lojërat Olimpike në edicionin e dytë të tyre, në Paris në vitin 1900. Në kryeqendrën e Francës spektakli sportiv kthehet të premten.
“Yahoo.com” ka prezantuar disa prej sporteve më të çuditshme që ishin pjesë e Lojërave Olimpike.

Gjuajtja e pëllumbave
Në atë që do të mund të ishte makthi më i madh për aktivistët e të drejtave të kafshëve, më shumë se 300 zogj u vranë kur ngjarja e gjuajtjes së pëllumbave bëri paraqitjen e saj të vetme në Lojërat Olimpike në Paris në vitin 1990.
Objektivat prej baltës zëvendësuan pëllumbat e gjallë në edicionin pasues të Lojërave Olimpike.
Noti me pengesa
Lumi Sena në Paris priti garën e notit në 200 metra me pengesa në Lojërat Olimpike të vitit 1900. Garuesit duhej të ngjiteshin mbi një shtyllë dhe mbi një varg varkash, para se të notonin nën një rresht tjetër anijesh.
Në lumin Sena do të mbahet ceremonia hapëse e “Parisi 2024”, të premten. Do të organizohet edhe maratona e notit dhe pjesa e notit në garën e triatlonit. Mes shqetësimeve për cilësinë e ujit, kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, hyri në lumin Sena për not, më herët këtë muaj.
Tërheqja e litarit
Tërheqja e litarit ishte ngjarje kryesore olimpike nga Parisi 1900 deri në Antwerp 1920. Lojërat e vitit 1916 ishin anuluar për shkak të Luftës së Parë Botërore.
Ekipet me tetë garues kishin pesë minuta kohë për të tërhequr ekipin kundërshtar deri te pika e caktuar.
Kërcim së gjati për kuaj
Në Parisi 1900 është organizuar edhe ngjarja e kërcimit së gjati për kuaj. Ishte hera e parë dhe e vetme që ky sport ishte në programin olimpik. Kali i belgut Constant van Langendonck bëri kërcim prej 6.10 metrash.
Kërcim së larti për kuaj
Edhe kërcimi së larti për kuaj bëri paraqitjen e vetme në Parisi 1900.
Kali i një garuesi nga Franca dhe kali i një garuesi nga Italia e ndanë vendin e parë. Kuajt e tyre bënë kërcim të lartë prej 1.85 metra.
Zhytje në distancë
120 vjet pasi është mbajtur gara, William Dickey i SHBA-së mbetet kampion në fuqi në zhytje në distancë. Dickey e fitoi medaljen e artë në Lojërat e vitit 1904 në St. Louis. Ngjarja më pas u hoq nga programi olimpik.
Është në fakt një lloj sporti që zhvillohet ende në disa vende të SHBA-së, në formë rekreative. Garuesi hidhej nga bregu dhe duke mbajtur trupin pa lëvizur, ka qëndruar me trup në ujë për 60 sekonda. Garuesi që ka kaluar distancën më të madhe është shpallur fitues. Në përgjithësi garuesit me peshë më të madhe kishin përparësi. Nuk kërkohej ndonjë ushtrim për të qenë i suksesshëm dhe kjo ishte arsyeja që “sporti” u hoq menjëherë nga programi. Por ishte në Lojërat Olimpike dikur.
“Croquet”
Kjo lojë e veçantë, që në disa vende luhet nga të moshuarit, ishte në programin olimpik në Paris në vitin 1900. Ishte ngjarja e parë që përfshinte gra. Ato garuan kundër burrave, kurse Franca fitoi të artën në të gjitha katër kategoritë. Vetëm një shikues u shfaq në këtë garë.
Është një lojë ku topi i vogël goditet me një lloj çekani. Topi duhet të kalojë në mes të një porte të vogël. Fakti që u hoq menjëherë nga programi olimpik është dëshmi që nuk është ndonjë lojë interesante.

Ngjitje me litar
Ngjarja e ngjitjes me litar është zhvilluar në pesë edicione të Lojërave Olimpike, nga viti 1896 e deri në vitin 1932. Ngjitja me litar tani përdoret si aktivitet për rritjen e forcës.
Kërcim së larti në këmbë
Është një disiplinë ku atleti nga vendi bën kërcim anash. Kalon pengesën dhe duhet të bjerë në këmbë në anën tjetër të pengesës.
Amerikani Ray Ewry ishte mjeshtër i kësaj disipline, që u zhvillua në Olimpiadë nga viti 1900 e deri në vitin 1912. Ewry fitoi të artat në vitin 1900, 1904 e 1908.
Noti nën ujë
Noti nën ujë bëri paraqitjen e vetme olimpike në Paris në vitin 1900. Garuesit lëvizën nën sipërfaqen e lumit Sena, deri në 60 metra. Kanë fituar pikë për çdo metër të kaluar dhe për çdo sekondë të kaluar zhytur në ujë.