Sifan Hassan “u shty” me bërryla me Tigst Assefa, 150 metra larg cakut në maratonën olimpike, të dielën në Paris. Më pas e kaloi Assefan për ta fituar medaljen e tretë në Lojërat Olimpike të Parisit.
Hassan, që është e lindur në Etiopi dhe garon për Holandën, arriti rekord olimpik me 2 orë, 22 minuta e 55 sekonda. Maratona është prej garave kryesore në programin olimpik. Është vrapim në 42 kilometra e 195 metra.
Assefa e Etiopisë fitoi medaljen e argjendtë, duke mbetur tre sekonda prapa. Hellen Obiri e Kenisë e fitoi medaljen e bronztë.
Ekipi i Etiopisë paraqiti protestë dhe kërkoi diskualifikim të Hassanit për pengim. Por ankesa u refuzua.
Dukej sikur Assefa po e bllokonte Sifan Hassanin, që u pengua dy herë përpara se atletet të shkëmbenin bërrylat.
Sifan Hassan ngriti duart lart dhe bërtiti ndërsa kalonte vijën. Më pas e mbështjellur me flamur holandez nisi festën. Është dukur se edhe ka qarë nga gëzimi.
Për 31-vjeçaren ishte medalja e tretë në garat e vrapimit në Paris. Ishte e bronztë në vrapim 5000 metra dhe po ashtu në vrapimin 10 mijë metra, të mbajtur vetëm dy ditë më parë.
Pra për pak ditë i ka vrapuar plot 62 kilometra dhe në një konkurrencë të jashtëzakonshme.
Hassan tani i ka gjashtë medalje olimpike. Në Tokio fitoi në 5000 e në 10 mijë metra, ndërsa në 1500 metra ishte e treta.
Ndryshe nga e kaluara, maratona e vrapueseve është mbajtur në ditën e fundit të Lojërave Olimpike. Në të kaluarën ky termin ishte i rezervuar për maratonistët.
Sifan Hassan e përdori të njëjtën taktike gjatë gjithë garës, duke përfshirë pjesën kodrinore. Qëndroi prapa lidereve për pjesën më të madhe të garës, përpara se të niste goditjen finale në fund të garës.
Është prej garave më të mira në histori në maratonë.
Ndërsa Hassan mblodhi forcën për të bërë kalimin e fundit, Assefa u përpoq t’ia bllokonte rrugën. Por vrapuesja e Holandës lëvizi nga brenda në një kthesë. Assefa u përpoq ta shtynte atë drejt barrierës që ndante vrapueset me shikuesit e zhurmshëm. Dy atletet shkëmbyen bërryla. Sifan Hassan u shmang nga Assefa dhe vrapoi për fitore olimpike.
Ajo në fakt është mësuar të fitojë në mënyrën e vështirë. Tri vjet më parë në Lojërat e Tokios u pengua në 1500 metra, por e fitoi të bronztën.
Ajo nuk ishte shumë dominuese në dy vjetët e fundit, ndër të tjera për faktin se po përgatitej për tri garat e vështira në Lojërat Olimpike.
Vrapoi në 5000 metra të hënën e në 10 mijë metra të premten. I kishte vetëm 35 orë për t’u rikuperuar për maratonë.
Suksesi i çekut Emil Zatopek, që kishte fituar të artat në 5000 metra, 10000 metra dhe maratonë në Helsinki 1952, mbetet i paarritshëm. Por Hassan kthehet në shtëpi me një medalje ari dhe dy të bronzta.
Sharon Lokedi e Kenisë ishte e katërta, ndërsa tashmë ish-kampionia, Peres Jepchirchir përfundoi e 15-ta.
Pas 34 kilometrave, Jepchirchir nisi të mbetej prapa. Ishte koha kur grupi fitues i atleteve nisi shkëputjen.
Gara për të artën në fund u zhvillua nga dy vrapuese.
Atletet kanë nisur me maratonë në Lojërat Olimpike 1984, plot 88 vjet pasi Spiridion Louis i Greqisë fitoi garën e parë maratonë te vrapuesit. Shtegu në Paris kishte po ashtu rëndësi historike dhe u shtri pranë disa prej objekteve kryesore në kryeqendrën franceze. Ishte shumë sfidues po ashtu.
Sifan Hassan e përballoi më së miri atë, për medalje të artë në njërën prej garave më të vlerësuara në programin olimpik.