Paris 2024

Si është të jeni olimpisti i vetëm i vendit tuaj?

Paris 2024

Si i vetmi sportist i dërguar nga vendi i tij në Lojërat Olimpike në Paris, sprinteri Shaun Gill ka shijuar statusin e përkohshëm si “njeriu më i famshëm” në Belize.

Ai është njëri nga katër sportistët e dërguar në Lojërat Olimpike 2024 si përfaqësuesit e vetëm të shteteve të tyre. Është një përgjegjësi që sjell krenari. Ankth shtesë po ashtu.

Përfaqësuesit e vetëm të shteteve të tyre i kanë thënë BBC-së se punët e tyre mund të jenë të vetmuara. Por të jenë mbajtës të flamurit në ceremoninë hapëse të Lojërave ishte emocionuese.

Si i vetmi sportist nga Belize në fshatin olimpik, sportistët nga vendet e tjera kanë kërkuar nënshkrimin e 31-vjeçarit.

“Kam bërë shaka me një nga miqtë e mi se mund të më duhet sigurimi”, ka thënë Gill duke qeshur.
Delegacionet e mëdha olimpike, si ai i SHBA-së apo Britanisë së Madhe, mund të zgjedhin mbajtësin e flamurit në grupin prej qindra sportistësh. Por Belize, një vend i vogël në Amerikën Qendrore, me popullsi prej më pak se gjysmë milioni banorë, kishte vetëm një kandidat. Në situatë të tillë ishin edhe Lihtenshtajni, Nauru dhe Somalia.

Gill valëviti flamurin e vendit të tij me ndjenjë patriotizmi derisa parakaloi mbi varkë në lumin Sena. Ai u bë viral për përpjekjet e pasionuara në ceremoninë e mbajtur nën reshje të mëdha shiu.

Mbajtja e shpresave të një vendi ishte presion, pranon Gill. Ai nuk avancoi në finale të 100 metrave.

“Kur rezultati mungon unë shpresoj që të mos kem zhgënjyer shumë gjithë ata njerëz”, tha ai.

Atleti somalez, Ali Idow Hassan, shpresonte të bënte atë që Gill nuk e bëri – të arrinte  në podiumin e “Stade de France”. Por të mërkurën ishte prej të fundit në kualifikimet në vrapimin në 800 metra. Rast tjetër, pa shumë shpresë do të ketë në repesazh.

Kështu shpresat e vendit nga Afrika Lindore për medalje olimpike përfunduan për më pak se dy minuta, sa kaloi Hassan në shteg duke vrapuar.

Disa nga vendet më të vogla të botës përfitojnë nga rregullat e universalitetit, që janë krijuar për të siguruar përfaqësim të të gjitha vendeve në Lojëra Olimpike.

Hassan 26-vjeçar, tha se ishte shumë i lumtur që ishte sportisti i vetëm i vendit të tij në Paris. Por rrëfimi ka edhe anën tjetër.

“Ndihem i trishtuar kur jam vetëm”, thotë ai.

Hassan  është shoqëruar me atletë të tjerë nga vendet afrikane. Përvoja në fshatin olimpik  ishte më pak e izoluar se që mund të pritet.

Romano Puentener, çiklisti malor që përfaqësonte i vetëm Lihtenshtajnin, është ndjekur nga ylli i madh Andy Murray. Asi i tenisit donte të ndërronte pinat e famshëm olimpik me Puentenerin, duke ditur se një pin i Lihtenshtajnit ishte gjë e rrallë. Shenjat dalluese të vendeve këmbehen vazhdimisht nga sportistët në fshatin olimpik.

Lihtenshtajni i ka vetëm 38 mijë banorë dhe është në mes të Austrisë e Zvicrës. 

Për Puentenerin, Lojërat Olimpike ishin të paharrueshme. Si përfaqësues i vetëm është ndier mirë.
“Vetëm më ndihmoi kjo. Ne kemi mundur të ndërtojmë gjithë ekipin rreth meje dhe unë mund të vendosja se kë doja ta kisha me vete e kë jo”, ka thënë çiklisti.

20-vjeçari përfundoi i 28-ti javën e kaluar, në debutim olimpik. Nuk pritej të ishte konkurrent për medalje dhe ka shijuar mbështetjen e rreth 20 tifozëve nga vendi i tij që i dolën në përkrahje. Mes tyre ishte edhe kryeministri i vendit. Përkrahja ishte shumë më e madhe se ajo që mori nga ata pak dhjetëra që ishin pranë shtegut.

“Më duket se mora mesazh nga çdo person që jeton në Lihtenshtajn”, thotë Puentener.
Edhe Gill ka pranuar “mijëra urime”.

“Në një moment më duhej të ndalja telefonin sepse nuk e kisha asnjë moment qetësie. E vlerësoj por mendoj se duhej të mësohesha se si ta menaxhoja më shpejt”, ka thënë Gill.

Pavarësisht përkrahjes së madhe që mund të kenë marrë, garuesit e vetëm të shteteve janë pa gjasa për sukses.

Winzar Kakiouea garoi në 100 metra për Naurun, ishullin e Paqësorit, që është republika më e vogël në botë dhe shumë e varur nga ndihmat.

Ai tha se shumë njerëz që i kishte takuar nuk kishin dëgjuar për vendin me 11 mijë banorë. Në Nauru nuk ka pistë të duhur garash. 

Kur Lojërat të mbarojnë dhe vëmendja të jetë diku tjetër, këta katër sportistë mund të vazhdojnë jetën normalisht. Nuk do ta kenë vëmendjen që e gëzojnë aktualisht. 

Gill ka vendosur të tërhiqet nga garat e mëdha dhe të ushtrojë të rinjtë në Belize si dhe të fokusohet në karrierën e ardhshme si inxhinier. Puentener do të kthehet në shtëpi në zonën që është e përkryer për çiklizëm malor. Hassan do të vazhdojë stërvitjet në Etiopi, por shpreson që një ditë të jetojë sërish në qytetin e lindjes, Mogadishu. Ai shpreson që situata e sigurisë në Somali të përmirësohet dhe kështu vendi të jetë në gjendje të dërgojë më shumë sportistë në Lojërat e ardhshme. Somalia, vendi me 17 milionë banorë, është në luftë civile për dekada.

“Një ditë do të ketë më shumë sportistë nga Somalia. Dhjetë, ndoshta 100”, thotë Hassan.