Paris 2024

Shumë sportistë amerikanë realizuan ëndrrën olimpike falë ndihmës financiare nga të tjerët

Kanak Jha

Kanak Jha

Është një pingpongist që nuk mori mjaftueshëm përkrahje financiare në shtëpi. Një hedhëse e diskut që nuk mund ta mbulonte qiranë. Apo lojtarja e badmintonit që kishte nevojë për ndihmë për të vazhduar udhëtimin e saj në Paris.

Dhjetëra sportistë kanë përdorur platformat për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike dhe për të garuar në Paris.

Nga platforma më e njohur për mbledhje të fondeve, “GoFundMe”, kanë deklaruar se më shumë se 2 milionë dollarë u mblodhën në mbarë botën në prag të Lojërave në Paris.

 Hedhësja amerikane e diskut, Veronica Fraley, mblodhi mbi 23 mijë dollarë në “GoFundMe”. Shumica e donacioneve erdhën pasi ajo postoi në X se nuk mund të paguante qiranë. Sipërmarrësi Alexis Ohanian dhe reperi Flavor Flav ndihmuan. Ata tërhoqën më shumë vëmendje e rrjedhimisht më shumë fonde për kauzën e saj.

Lojtarja e Badmintonit, Jennie Gai, mblodhi afër 22 mijë dollar për të ndihmuar përgatitjet për pjesëmarrje në Lojërat e Parisit. Garoi në dyshe miks.

“Nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e të gjithëve”, tha Gai. “Donacionet tuaja lehtësuan shumë barrën financiare në planifikimin e turneve dhe stërvitjeve tona. Kjo më lejoj të fokusohem plotësisht në garën olimpike. Jam jashtëzakonisht mirënjohëse për secilin kontribut”.

Pingpongisti amerikan, Kanak Jha, mblodhi mbi 30 mijë dollarë për të mbuluar shpenzimet për stërvitje, udhëtim akomodim dhe punësimin e një trajneri privat.

“Fillova me ‘GoFundMe’ vetëm për të marr pjesë në Lojëra. Jam vërtetë mirënjohës për të gjithë ata që më mbështetën”, tha JHa.

“Çdo donacion u shfrytëzua për t’u përgatitur për Paris. Jam shumë mirënjohës që e kemi atë mbështetje”.

Jha ushtron dhe garon kryesisht në Gjermani. Sipas tij, është e pamundur financiarisht të jesh pingpongist profesionist në SHBA. Ai kishte rezultatin më të mirë të SHBA-së në pingpong, duke u kualifikuar në 16 më të më mirët.

“Pingpongu është sport global. Ne udhëtojmë shumë. Shkojmë në shumë turne, në shumë kampe stërvitore. Dhe financiarisht nuk është e lehtë”, ka shtuar pingpongisti amerikan.

Në mesin e sportistëve ndërkombëtarë që kërkuan përkrahje për financim ishte 16-vjeçari australian Jeff Dunne që garon në “break-dance”. Ai mblodhi mbi 20 mijë dollarë për përgatitje. Boksierja e parë olimpike nga Tonga, Feofaaki Epenisa . Ajo mblodhi mbi 10 mijë dollarë në prag të Lojërave të Parisit.

Ish-sportistja amerikane, Lashinda Demus, mblodhi 21 mijë dollarë për të sjellë familjen në Paris, për ta parë atë duke pranuar medaljen e artë që i ishte mohuar 12 vjet më parë. Demus fitoi medaljen e argjendtë në vrapimin 400 metra me pengesa në Londra 2012. Por në mënyrë retroaktive fitoi të artën pasi atletja ruse që kishte fituar të artën u dënua për doping.

“Mendimi për të pasur nënën time, Yolanda, në Paris, më mbush me gëzim. Ajo ishte trajnerja ime në Londër dhe tani do të jetë në këtë moment të rëndësishëm. E njëjta gjë është me babin tim, që ka qenë afër meje në çdo hap”, ka thënë ish-atletja amerikane. “Mirësia e njerëzve ka kthyer një arritje personale në festë familjare. Ideja që të pranoj medalje në Paris, e rrethuar nga njerëz që i dua shumë, po bëhet realitet i bukur”, ka shtuar Lashinda Demus.

Edhe familje të tjera amerikane i janë drejtuar platformës “GoFundMe” për të mundësuar udhëtimin në Paris. Kështu vepruan prindërit e atletit Freddi Crittenden, që mblodhën 20 mijë dollar për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit. 6000 dollarë u mblodhën që nëna dhe motra e vogël e mundësit amerikan Aaron Brooks të udhëtonin në Paris.

E njëjta shumë u mblodh për prindërit e notarit amerikan Hunter Armstrong, që fitoi medalje të argjendtë në stafetën 4x100 metra, të dielën.

Ka pasur edhe raste kur fondet e kërkuara nuk janë siguruar. Por ka edhe shumë raste kur me para të siguruar nga ndihma e të tjerëve është realizuar ëndrra.