Paris 2024

Shkëlqimi i Curryt për suksesin e pritur gjatë

Stephen Curry

Foto: Associated Press

Stephen Curry ka menduar për këtë dy vjet më parë, pasi e fitoi titullin e katërt në NBA me Golden State Warriors.  E vetmja gjë që i mungonte ishte e arta olimpike.

Dhe në momentin e fundit, ylli i basketbollit u sigurua që medalja e artë të ishte e tij.

SHBA-ja është sërish në majën e basketbollit ndërkombëtar, pasi Curry i shënoi 24 pikë, të gjitha treshe, dhe udhëhoqi amerikanët drejt fitores 98:87 ndaj Francës në finalen e Lojërave Olimpike, të shtunën mbrëma në Paris. 

Ishte medalja e pestë e artë rresht për SHBA-në dhe e 17-ta në 20 paraqitje të amerikanëve në Lojëra.

“Thjesht qëndro i sigurt dhe mos u trondit nga momenti”, tha Curry, i cili i realizoi 17 herë për tri pikë në dy ndeshjet e fundit. Në gjysmëfinale ndaj Serbisë realizoi nëntë trepikësha, ndërsa vazhdoi me efikasitet nga distanca edhe në finale me nikoqiren e Lojërave Olimpike.
“Steph e fitoi këtë”, tha trajneri i SHBA-së, Steve Kerr.

Curry realizoi katër trepikësha në fund, saktësisht duke nisur 2.43 minuta para fundit. 1.19 minuta para fundit vulosi fitore me një shënim tjetër, natyrisht nga distanca. 

Me shënimin e tij SHBA-ja po udhëhiqte 93:84 dhe Curry lëshoi një britmë gjatë vrapimit për në mbrojtje, duke shfaqur fanellën në atë mënyrë që të gjithë të mund ta shihnin “SHBA” në pjesën e përparme.

Edhe sikur kjo mos të mjaftonte, Curry shënoi një tjetër treshe 30 sekonda para fundit. Dhe bëri lëvizjen “e gjumit”,  duke bashkuar duart në njërën anë të fytyrës.
Curry ishte i përgatitur për festë. Pas ndeshjes u shfaq me një fanellë të veçantë, për festën me shampanjë dhe puro.

“Të marr medaljen e artë është çmenduri për mua. Falënderoj Zotin për mundësinë që ta përjetoj këtë”, tha Curry.

Kevin Durant, që ka katër medalje të arta olimpike, i shënoi 15 pikë për SHBA-në, sa i kishte edhe Devin Booker.

LeBron James, që mbathur kishte këpucë me shkëlqim ari, i shënoi 14 pikë. Superylli James fitoi medaljen e katërt olimpike me SHBA-në, të tretën të artë. 

“Shumë i lumtur që mund ta luaj ende këtë lojë”, tha James. “Luajta në nivel të lartë, luajta me 11 lojtarë të tjerë të mëdhenj dhe një staf stërvitor të shkëlqyer. E bëmë këtë për vendin tonë. Ishte  një moment i mrekullueshëm”.

Në  Olimpiadën e dytë rresht, francezët duhej të shikonin rivalët duke mbajtur flamujt amerikanë në festë pas ndeshjes për titull. Në Tokio, tri vjet më parë, francezët humbën finalen nga SHBA-ja me rezultat 87:82. 

Finalja e së shtunës u vendos në fund. Natyrisht, kur Curry nisi serinë e tresheve.

“Mendoj se mund të jemi ekipi i vetëm në botë tifozët e të cilit do të jenë të turpëruar nëse marrim të argjendtën”, tha Kerr, trajneri i Golden State. Si trajner i SHBA-së, ai ka bilanc prej 21:3 në dy vitet e fundit. Këtë verë ka seri 11:0. Kjo seri përfundoi me të artën olimpike, medaljen më të vlefshme në sport.

“Ky është presioni  me të cilin përballemi. Ju e patë Stephin dhe të tjerët, ata e duan presionin. Ata e çmojnë këtë atmosferë dhe ishin fantastikë”, tha Kerr.

Victor Wembanyama, “rookie” i vitit në NBA, ishte në finalen e parë olimpike. Dhe ishte brilant te Franca, duke shënuar 26 pikë. 

“Po mësoj”, tha Wembanyama. “Dhe unë jam i shqetësuar për atë që vjen për kundërshtarët pas disa vjetësh”.
Wembanyama mbuloi fytyrën me peshqir më pas, ndërsa amerikanët festonin. Guerschon Yabusele i shënoi 20 pikë për Francën.
“Sigurisht që është zhgënjim pasi ne prisnim ta fitonim të artën”, tha trajneri i Francës, Vincent Collet. “Por në fund duhet të pranojmë se janë më të mirë. Jemi shumë afër. Por dallimi është kur ata bëjnë gjuajtje fantastike”.
SHBA-ja u shkëput në 14 pikë në fillim të çerekut të tretë. Por ndeshja ishte larg fundit. Francezët “lidhën” disa pikë dhe u kthyen në lojë.
Francezët u afruan deri në tri pikë, por jo më shumë. Curry bëri më pas dallimin. Ai ishte i saktë në katër tentime për tri pikë në periudhë prej 2.12 minuta. Dhe finalja olimpike u vendos.
“Një gjuajtje e madhe për të shkuar në epërsi prej gjashtë pikëve. Kjo vendosi gjithçka”, tha Curry.
“Më pas erdhi ritmi, orteku  dhe fatmirësisht tri gjuajtje të tjera përfunduan në cak.  Ishte moment i pabesueshëm. Unë isha i bekuar të luaj basketboll në nivel të lartë për një kohë shumë të gjatë . Kjo ndeshje renditet shumë lart sa i përket emocionit dhe ndjenjës së lehtësimit, duke arritur synimin”.
Për Jamesin, triumfi ishte një gjë më shumë në lsitën e pafund të sukseseve. Për Durantin është histori me katër medalje të arta. Për Bookerin, Anthony Davisin, Jayson Tatumin dhe Bam Adebayon ishte e arta e dytë. Për të tjerët yje të  NBA-së ishte e para e artë olimpike.
“Ishte një  përvojë e mrekullueshme, përvojë e bukur”, tha Durant.

Mbrëmja ishte e Curryt. 

“Është një prej ndeshjeve më të mira të karrierës së tij”, tha trajneri Kerr. “Gjuajtja ishte e pabesueshme. Në këto rrethana, në udhëtim, në Paris, ndaj Francës për medalje të artë olimpike, është e arritur për libra tregimesh. Por këtë e bën Steph. Atij i pëlqen të jetë në libra tregimesh”.