Paris 2024

Sakrifica e Distrisë

Distria Krasniqi

Mbi 8000 është numri i sportistëve në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike "Parisi 2024".

Për secilin sportist në botë paraqitja në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike është ëndërr e realizuar. Kualifikimi në Lojëra Olimpike është e arritur kulmore, ndërsa medaljet i fitojnë vetëm më të mirët.

Shumë janë të lumtur me pjesëmarrje dhe me parakalim në ceremoninë hapëse.

Jo edhe Distria Krasniqi, kampionia ende në fuqi olimpike në xhudo.

Distria e ka të drejtën e paraqitjes në ceremoninë hapëse, por nuk e shfrytëzon këtë të drejtë. Madje për herë të dytë rresht.

Tri vjet më parë në Tokio ajo hoqi dorë nga ceremonia pasi garonte menjëherë të nesërmen.

Pasi ceremonia zgjat 4-5 orë, paraqitja në të do të ishte "ekspozim" ndaj lodhjes eventuale dhe rrezikim që forma në ditën e garës të mos jetë më e mira.

Vendimi doli i drejtë. Distria një ditë pas ceremonisë shkëlqeu në Tokio dhe fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Ky ishte synimi i madh i saj. Dhe sakrifica ia vlejti.

Në Paris, Distria garon të dielën, dy ditë pas ceremonisë.

Por sërish ka vendosur të mos paraqitet në ceremoninë hapëse.

"Synimet e Distrisë nuk lidhen shumë me pjesën ceremoniale. Paraqitja në ceremoni duke prezantuar flamurin e shtetit është krenari. Por Distria dëshiron që ta bëjë krenar gjithë vendin aty ku vlen, në arenë. Në mënyrë që të jetë plotësisht gati të dielën, ajo vullnetarisht hoqi dorë nga ceremonia. Distria ka përvojën dhe e di që paraqitja në ceremoni i shkakton lodhje e ngarkesë. Qëndrimi në këmbë për disa orë, duke llogaritur shkuarjen, kthimin, pritjen në rresht, është  i rrezikshëm dy ditë para garës. Prandaj ajo qëndron në fshat, pushon dhe përgatitet edhe psikikisht për garën që e ka të dielën", thonë nga Federata e Xhudos së Kosovës.

Xhudistët e tjerë garojnë në ditët pas Distrisë dhe janë në ceremoni. Edhe synimet e tyre janë për të bërë vendin krenar në arenë. Por do ta kenë kohën e mjaftueshme për të pushuar.

Në Paris janë edhe drejtuesit e shtetit. Ata kanë ardhur edhe duke llogaritur në medaljet e xhudos.