Paris 2024

Sadiku mëson kundërshtaren, kishte humbur ndaj saj më parë

Donjeta Sadiku

Boksierja Donjeta Sadiku do të ballafaqohet me boksieren nga Tajlanda, Thananya Somnuek, në meçin e parë të kategorisë deri në 60 kilogramë në turneun olimpik të boksit në “Parisi 2024”.

Sadiku vlerësohet boksiere me shumë potencial, ndërsa synohet edhe medalja. Por, rruga deri te medalja do të jetë e gjatë e shumë e vështirë.

25-vjeçarja më 8 shkurt të këtij viti ishte mposhtur nga boksierja tajlandeze, në çerekfinale të turneut “Strangja” në Bullgari.

Në rast se e kalon këtë kundërshtare, Sadiku më pas do të ballafaqohej me boksieren nga Kolumbia, Angie Paola Valdes Pana, ndërsa në çerekfinalen e mundshme, do të ballafaqohej me irlandezen Kellie Harrington.

Sadiku në “Parisi 2024” është me normë olimpike. Do të jetë garuesja e parë nga nëntë gjithsej sa janë në kryeqytetin francez, që do ta përfaqësojë Kosovën.

Sadiku garon më 27 korrik.