Paris 2024

Pse medalja e Laurës ka vlerë të jashtëzakonshme?

Laura Fazliu

“E bronztë me vlerë ari”. 

Është kjo një thënie që përdoret shpesh në sport. Por në rastin e Laura Fazliut nuk është mjaftueshëm e fortë. 

Laura të martën e fitoi medaljen e bronztë olimpike në xhudo, në kategorinë deri në 63 kilogramë. Dhe medalja e saj nuk mund të matet me ari.

Ka vlerë të shumëfishtë.

Për Kosovën është medalja e pestë olimpike, pas tri të artave e një të argjendtë. Për kryemjeshtrin Driton Kuka po ashtu është medalja e pestë olimpike. Ai ka udhëhequr Majlindën, Norën e Distrinë drejt të artave. Në Paris udhëhoqi Distrinë drejt të argjendtës dhe tani Laurën drejt të bronztës.
Pasi Laura e siguroi vendin në podium, kryemjeshtri Kuka është shfaqur shumë i emocionuar. Sytë i janë përlotur, ndërsa fjalët mezi i dilnin nga goja. Ka folur për realizim të ëndrrës dhe për vlerën e madhe të kësaj medaljeje. Vlerën e jashtëzakonshme.

Kuka në fakt nuk e ka udhëhequr nga këndi Laurën. Në karrigen e trajnerit ishte Majlinda Kelmendi, asistentja e kryemjeshtrit. Kuka ka qëndruar në tribunë. Ishte një plan i përgatitur shumë, shumë javë më parë. Edhe bileta është siguruar shumë më herërt, në rreshtin e parë.

“Kjo është bërë në mënyrë që kryemjeshtri të mund t’i flasë Laurës gjatë tërë kohës. Nga karrigia e trajnerit kjo nuk lejohet. Laurës në raste i duhet kontakti i vazhdueshëm me trajnerin”, kanë treguar nga ekipi i Kosovës në xhudo.

Kështu edhe ndodhi në fakt. 

Trajneri Kuka ka këshilluar vazhdimisht Laurën. E zhurmshme ishte edhe Flaka Loxha, e ulur pranë kryemjeshtrit. Flaka, që në Paris është si partnere e sparingut dhe që po bëhet gati për Los Angeles 2028, ka këshilluar vazhdimisht Laurën. Njëjtë kanë vepruar edhe kryetari i federatës, Agron Kuka, dhe trajneri tjetër në shtabin teknik të kryemjeshtrit Kuka, Fatos Tabaku, që ishin në tribunën kryesore. Ndërkohë Majlinda ka këshilluar kur i lejohej, gjatë ndërprerjeve. 

Të gjithë këta ishin të përkushtuar që Laura të fitonte medalje. Dhe gëzimin e kishin të madh. 
Me medalje olimpike, që është më e vlefshmja në sport, Laura ka dëshmuar se ëndrrat mund të realizohen. Por vetëm me punë maksimale, përkushtim, seriozitet dhe duke mos kaluar pengesat. Ajo në moshë fare të re, pa nisur shkollën e mesme, u largua nga familja në Mitrovicë dhe u vendos në Pejë për të punuar me trajnerin Driton Kuka. Sa ishte pjesë e Trepçës u evidentua si talente e madhe. Dhe duke punuar me Kukën nga xhudiste me potencial u shndërrua në njërën prej xhudisteve më të mira në botë në kategorinë e saj.

Medalja ka vlerë të jashtëzakonshme edhe për shkak të ecurisë së mëtejme të ekipit të Kosovës në xhudo. Laura është vetëm 23-vjeçare dhe mund të paraqitet edhe në dy edicione të Lojërave Olimpike. Është kryesorja në gjeneratën e re, që pritet ta pasojë Majlindën, Norën e ndërkohë edhe Distrinë. 

Medalja ka peshë për të motivuar xhudistët e kategorive të reja po ashtu. Dhe natyrisht, për të konfirmuar e rikonfirmuar se sistemi i Driton Kukës është i duhuri dhe vazhdon të funksionojë.
Dy medaljet e deritashme në Paris, por edhe medaljet e vazhdueshme në të gjitha garat e mëdha, e dëshmojnë këtë.

Laura medaljen e bronztë e fitoi ndonëse nuk ishte në ditën më të mirë. Kishte telashe në luftën e parë, e në të dytën u ndal. Në luftën e tretë bindi dhe iu përmbajt planit, ndërsa telashe jo të vogla kishte edhe në luftën e katërt dhe vendimtare për medalje. Por gjitha këto harrohen për pak ditë. Në kujtesë dhe në histori mbetet medalja olimpike. 

Aq të lartë tani e ka nivelin Laura saqë fiton medalje olimpike edhe kur nuk e shfaq më të mirën. Me realizim të potencialit të saj, ajo do të fitonte pa shumë telashe të artën olimpike.