Mbi 10 mijë e 500 sportistë nga 206 delegacione garuan në Paris prej 26 korrikut deri të dielën.
Medalje nuk fituan as gjysma e delegacioneve, përkatësisht shteteve pjesëmarrëse. Lista e vendeve me medalje të fituar shkoi deri te 91. Plot 115 shtete kanë mbetur pa medalje në Lojërat Olimpike Verore që u hapën në mënyrë madhështore, ofruan garë sportive të nivelit më të lartë dhe emocione e dramë pa fund.
Falë xhudos, për herë të tretë rresht, Kosova është në listën e vendeve me medalje olimpike. Në Paris, Kosova renditet e 73-ta. Këtë e kanë mundësuar e argjendta e Distria Krasniqit në kategorinë deri 52 kilogramë dhe e bronzta e Laura Fazliut në kategorinë deri 63 kilogramë. Me më tepër fat, medalje është dashur të fitojë edhe Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë. Ai arriti në gjysmëfinale, që në disa sporte do të mjaftonte për medalje bronzi. Por humbi në gjysmëfinale e më pas edhe për medalje të bronztë. Dhe u rendit i pesti.
Se medaljet olimpike do të vijnë për Kosovën nga xhudoja është ditur edhe para fillimit të Lojërave të Parisit. Puna që bëhet nga kryemjeshtri Driton Kuka me ekipin elitarë të xhudistëve kosovarë i takon nivelit më të lartë botëror. Dhe për mbi një dekadë e gjysmë po dëshmohet si shume e suksesshme.
Sa u takon Lojërave Olimpike, Kosova debutoi në Rio 2016. Falë medaljes së artë të Majlinda Kelmendit, Kosova ndau pozitën e 54-t në listën e medaljeve. Në Tokio në vitin 2021, Kosova ishte edhe më lart. Falë medaljeve të arta të Distria Krasniqit e Nora Gjakovës, Kosova ishte në vendin e 42-të.
Në Paris, Kosova nuk fitoi medalje ari dhe për këtë arsye është më poshtë në listë. Por prapë pozita është e mirë nëse merren për bazë faktorë të shumtë. Nëse bilanci krahasohet me numrin e sportistëve pjesëmarrës apo edhe me numrin e banorëve, atëherë Kosova është dukshëm më lart në lista. Por edhe vendi i 73-të prej 206 vendeve nuk është keq.
“Sistemi dhe metodologjia e punës po sjell fryte. Natyrisht, çdo cikël olimpik ka lëvizje të ndryshme për të mbetur në hap me ecuritë në sportin kulminant. Por edhe këtë herë ia dolëm me sukses. Kemi dy medalje dhe një vend të pestë që për mua është i barabartë me medalje. Do ta pranoja me dy duart një bilanc të tillë para udhëtimit për në Paris. Duhet të jemi realë dhe ta pranojmë se sa vështirë fitohet një medalje olimpike. Duhet shumë mund, përkushtim e investim. Dhe ne i kemi pesë tashmë. Për një vend si Kosova kjo është e jashtëzakonshme”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka.
Ai është më meritori për sukseset e Kosovës në Lojëra Olimpike. Garën në Paris e vlerëson të veçantë dhe shumë stresuese.
“Ishte garë e çmendur në xhudo. Nuk kam pasur stres më shumë ndonjëherë në jetë. Shtetet po investojnë shumë në sport. Në xhudo investimet janë marramendëse. Ne kemi fituar medalje në tri Olimpiadat e deritashme, por ta mbajmë këtë ritëm do të jetë sfidë e jashtëzakonshme”, thotë Kuka.
Ai secilën medalje e ka përjetuar thellë dhe në mënyrë të veçantë.
“Shumë shqiptarë po krenohen me ne. Kjo më jep motiv e shtytje që të ecim tutje. Duhet të ecim tutje, nuk bën ndryshe. Personalisht po i shijoj disa ditë pushimi dhe shpejt do të kthehem në sallën e stërvitjeve. Na presin sfida të reja. Synimet do t’i kemi sërish të mëdha. Energjia nuk mungon që të sulmojmë normat për Lojërat e ardhshme, ato Los Angeles 2028”, thotë kryemjeshtri Kuka.
Është sinjal për vendin në fundin e një edicion të Lojërave Olimpike. Një edicioni shumë të suksesshëm.