Me njërën dorë mbanin fort medaljet olimpike e me tjetrën, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, përshëndesnin mijëra qytetarë që të martën pasdite kishin dalë në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë për t’i pritur ato dhe sportistët e tjerë të ekipit olimpik të Kosovës. Ekipi i xhudos nga Parisi u kthye me bagazh më të rëndë, falë dy medaljeve olimpike, të argjendtës dhe të bronztës.
Të argjendtën e fitoi Distria në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa të bronztën e fitoi Laura në kategorinë deri 63 kilogramë.
Distria e Laura kanë përshëndetur qytetarët në pritjen shtetërore që e organizoi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Disi dhe Laura ishin të fundit prej sportistëve që u ngjitën në skenë, ndërsa i fundit që u ftua për t’u paraqitur para shumë qytetarëve ishte kryemjeshtri, Driton Kuka, arkitekti i sukseseve të Kosovës në sportin e xhudos.
Kuka foli para dy fituesve të medaljeve olimpike. Fjalimin e tij, trajneri Kuka e nisi për arritjen e madhe të Kosovës në Paris.
“Me punë serioze ia kemi dëshmuar krejt botës se fëmijët tanë kanë virtyte, kanë vlera sepse kemi ndërtuar nga një shtet i vogël pesë medalje olimpike dhe do të vazhdojmë tutje. Një përshëndetje të veçantë për kryetarin e Federatës që bën punë të madhe pa shumë zhurmë e marketing”, ka thënë Driton Kuka.
Ai foli me superlativ për gjithë sportistët, ndërsa vlerësoi edhe punën e ekipit të tij.
“Si familj,e xhudon e kemi pasion të nisur qysh nga vëllai jonë i madh, i cili ka qenë trajner i imi dhe Agronit. Ai e ka mbjellë dashurinë për sport tek ne, kurse ne e kemi vazhduar. Pak ia kemi kaluar me rezultate, por edhe ai është i kënaqur që ia kemi sjellë popullit shqiptar pesë medalje olimpike”.

Toni Kuka u shoqërua me ovacione e duartrokitje.
Gjatë fjalimeve të tyre të shkurtëra, duartrokitjet dhe brohoritjet nuk u ndalën as për Distria Krasniqin e Laura Fazliun.
“Faleminderit që keni ardhur të festoni këto dy medalje së bashku me ne. Jam krenare që jam njëra prej tyre. Ndihem e lumtur që po ia sjelli për herë të dytë Kosovës një medalje olimpike. Faleminderit për mbështetjen, pasi mbështetja juaj ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë shtytje për mua”, ka thënë Krasniqi.
E Laura thotë se ëndrra saj është bërë realitet me medaljen në Paris.
“Faleminderit që keni ardhur për të festuar medaljet olimpike. Para dhjetë vitesh u largova nga familja për të ndjekur ëndrrën të cilën e realizova. Faleminderit Tonit, Majlindës, klubit dhe gjithë atyre që më kanë mbështetur për të fituar medaljen olimpike. Faleminderit familjes time që kanë dalë së bashku me ju për të festuar”, ka thënë Laura.
Kryeministri Albin Kurti foli në cilësinë e nikoqirit. Ai ka thënë se populli i Kosovës u është mirënjohës përjetësisht xhudistëve që kanë fituar medalje olimpike.
“Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë kundër superfuqive botërore, mirëpo tani ky fakt është bërë realitet bindës të cilin të gjithë ne po e gëzojmë e rajoni e më gjerë po e vlerëson. Këto rezultate kurrsesi nuk janë të rastësishme. Së bashku me kontributin e të gjithëve e më së shumti nga Federata e Xhudos krijuam kampionë olimpikë dhe do të vazhdojmë të krijojmë në të ardhmen. U jemi mirënjohës përjetësisht”, ka thënë kryeministri Kurti.
Dhe siç ndodhë rëndom, në fund të ceremonisë së pritjes shtetërore, kryeministri Kurti u fotografua me pjesën më të madhe të ekipit olimpik të Kosovës që mori pjesë në Paris.
Kurti u largua nga skena, ndërsa ekipi olimpik parakaloi gjatë sheshit “Xhorxh Bush”. Kërkesat për t’u fotografuar si kujtim ishin të mëdha. Parakalimi zgjati për rreth gjysmë ore, ndërsa sportistët u larguan nga sheshi me synimin për t’u takuar sërish për sukseset e radhës.