Të enjten xhudistët e Kosovës do të vendosen në fshatin olimpik në Paris. Të premten paraqiten në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike e të dielën fillojnë me gara me synim për të tjera medalje olimpike.
Udhëtimi për në Paris do të jetë i shkurtër për kryemjeshtrin Driton Kuka dhe xhudistët e tij: Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka e Laura Fazliu. Ka një javë që ekipi i xhudistëve të Kosovës ka udhëtuar për në Francë. Është vendosur në qytetin e qetë, Orleans, ndërsa është mysafir i klubit USO Judo.
Presidente e këtij klubi të suksesshëm është Mawlle di Cintio, ish-xhudiste e suksesshme franceze. Di Cintio është shumë krenare që ekipi i zgjeruar i Kosovës në xhudo aktualisht po qëndron në Orleans dhe po stërvitetet në hapësirat e klubit USO.
Ajo të martën për KOHËN ka treguar për bashkëpunimin e shkëlqyer me ekipin e Kosovës në xhudo, që nisi shumë vjet më parë. Bashkëpunimi nisi me kryemjeshtrin Driton Kuka.
“Në vitin 2018 saktësisht. Dhe është hera e katërt që presim ekipin e Kosovës në xhudo në klubin dhe qytetin tonë. Për këtë jemi krenarë”, ka thënë Di Cintio të martën.
Xhudistët kosovarë fillimisht qëndruan në Orleans në vitin 2018, para Grand Slamit të Parisit. Për herë të dytë ishin gjatë pandemisë e për herë të tretë menjëherë pas pandemisë. Nga klubi USO kanë pyetur ekipin e Kosovës edhe për mundësinë që të ofrojnë akomodimin edhe në javën e fundit para Lojërave Olimpike të Parisit.
“Unë isha vetë xhudiste dhe e di rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në klubin tonë, por edhe në qytetin tonë jemi të lumtur që i kemi mysafirë xhudistët e Kosovës. Dje për shembull kishim një aktivitet për xhudistët e rinj. Ndonëse në kohë pushimesh, jemi befasuar me interesimin shumë të madh. Mbi 100 fëmijë ishin në stërvitje të përbashkët me garuesit e Kosovës, që janë yje të xhudos. Xhudistët e Kosovës kanë bërë demonstrimin e teknikave. Ka pasur më pas luftëra rekreative të xhudistëve të Kosovës me xhudistët tanë të rinj, që ishin nga disa klube të rajonit. Ka pasur shumë autografe dhe në përgjithësi ishte një kohë shumë, shumë e mirë. Të kënaqur ishim ne si nikoqirë, mbi 100 fëmijët pjesëmarrës, por edhe xhudistët e Kosovës. Në një periudhë shumë stresuese, në prag të garës kryesore në karrierë, edhe ata kanë nevojë për kontakt pozitiv me njerëz të tjerë”, ka shtuar presidentja e klubit francez.

Nga ajo që ka parë gjatë ditëve të fundit, Mawlle di Cintio vlerëson se xhudistët e Kosovës janë gati për shkëlqim në Paris.
“Shpresoj që të gjithë ata të realizojnë ëndrrat që kanë. Xhudistët e Kosovës kanë punuar shumë e shumë vjet, kanë shfaqur përkushtim shembullor, që në Olimpiadë të jenë në formën më të mirë. Ata jetojnë me xhudon, flenë me xhudon, zgjohen me xhudon. Pra, jeta e tyre është xhudoja. Prandaj shpresoj se do të jenë në ditë të mirë dhe do të shfaqin më të mirën. Nëse ndodh kjo, nuk do të ketë probleme”, thotë Di Cintio.
E pyetur për pritjet e saj konkrete, Di Cintio është përgjigjur.
“Pres të fitojnë medalje. Po, po, medaljet priten prej ekipit të Kosovës”.
Xhudistët e Kosovës do të jenë edhe dy ditë në Orleans. Ditët e fundit janë shumë të rëndësishme në prag të Olimpiadës.
“Është mirë që ekipi i Kosovës zgjodhi klubin dhe qytetin tonë. Qyteti është i qetë dhe të gjithë janë të lumtur që i kemi xhudistët kosovarë këtu. Vetëm tri klube në Francë kanë pritur ekipe të vendeve të tjera në prag të Olimpiadës. Ne jemi njëri prej tyre. Dhe nuk kemi pritur ekipin e Kosovës për një apo dy ditë, por për më shumë se një javë. Është e veçantë. Të gjithë këtu janë të lumtur. Ishte shumë e veçantë”, thotë Di Cintio.
Atmosfera relaksuese në Orleans pritet t’u shërbejë xhudistëve të Kosovës në garën me shumë ngarkesë në Lojërat Olimpike. Ngarkesën e madhe xhudistët e kanë përballuar shumë mirë në Rio në vitin 2016 dhe në Tokio në vitin 2021. Kanë fituar tri medalje të arta olimpike.
Të tjera medalje priten në Paris.