Me spektakël përfundoi gara e xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Legjenda franceze Teddy Riner mposhti kundërshtarin e tij nga Japonia dhe ia siguroi Francës titullin e kampionit në konkurrencë ekipore. Salla ishte e stërmbushur me shikues, ndërsa interesimi për një biletë ishte shumë i madh. Në tregun e zi, një biletë është shitur deri në 500 euro, ndonëse të tilla kishte fare pak.
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ishte shumë krenar për garën e zhvilluar në Paris dhe natyrisht për interesimin e madh dhe personalitetet e rëndësishme që përcollën nga afër xhudon në “Champ de Mars”.
Por Vizeri është krenar edhe për Kosovën, përkatësisht për ekipin e Kosovës në xhudo. Në njërën prej pauzave të garës ekipore, iu afruam dhe e pyetëm për mundësinë që të flasë për xhudon kosovare dhe dy medaljet e Kosovës në Paris.
“Me shumë kënaqësi”, u përgjigj Vizer, që vlerësohet se e ka ngritur xhudon në nivelin dukshëm më të lartë ndonjëherë. Xhudoja aktualisht vlerësohet e pakonkurrencë sa i takon sporteve luftarake në programin olimpik. Po ngrihet vazhdimisht në renditjet e sporteve, ndërsa Lojërat e Parisit vetëm konfirmojnë rejtingun e saj.
Bashkë me xhudon ndërkombëtare po rritet edhe xhudoja e Kosovës. Dhe këtë Vizeri e çmon.
“Jam shumë krenar me xhudon e Kosovës, pasi prej paraqitjes së parë në Lojërat Olimpike ishte e suksesshme. Fillimisht Kosova fitoi një medalje të artë olimpike, më pas dy të arta olimpike e tani në Paris i fitoi edhe dy medalje të tjera. Përgëzime së pari për sportistët e po ashtu për federatën. Drejtuesit e saj kanë bërë punë të shkëlqyer. Përgëzime për Agronin, për Tonin, që ia kushtuan jetën xhudos, suksesit në sport dhe imazhit ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Marius Vizer për KOHËN.
Ai ka raporte shembullore me kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Ndërkohë e vlerëson lart punën e kryemjeshtrit Driton Kuka.
Vizer është nga Rumania, ndërsa është afarist shumë i suksesshëm. Ka hapur dyert e përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe për këtë arsye llogaritet pjesë e suksesit të xhudos kosovare. Fillimisht bëri zgjidhje për Majlinda Kelmendin e më pas për gjithë xhudistët.
“Xhudoja kosovare është shembull i përkushtimit, i punës së madhe dhe zhvillimit në drejtimin e duhur. Sukseset, pesë medaljet olimpike, medaljet botërore e evropiane, pastaj ato në garat tjera të Turit Botëror të xhudos, e dëshmojnë këtë. Shquhet për suksese në regjion dhe unë jam i bindur se kjo rrugë do të vazhdojë”, ka shtuar Vizer.
Atij i vjen mirë që familja e madhe e xhudos ka një anëtare si Kosova.
“Suksesi është dëshmi që rezultatet e mëdha mund të arrihen pavarësisht se prej nga vini dhe cilat janë pengesat. E di që Kosova ka pasur vështirësi, por tani ka bërë dhe po bën emër përmes suksesit në xhudos. Sa herë që i shoh xhudistët e Kosovës në podium, sidomos në atë olimpik, unë ndihem shumë i lumtur. Janë sportistë të talentuar, por që mbi të gjitha punojnë shumë dhe udhëhiqen si duhet. Ky duhet të jetë shembull për xhudistët në mbarë botën, por edhe për sportistët e disiplinave të tjera. Një vend i vogël si Kosova të ketë pesë medalje olimpike, kjo është e shkëlqyer”, ka theksuar Marius Vizer.
Gjatë tetë ditëve të garave të xhudos, Vizeri, në cilësinë e nikoqirit, ka pritur personalitete të rëndësishme ndërkombëtare. Ndër të tjera në sallë ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po ashtu ka përcjellë disa herë nga afër garat e xhudos, ndërsa ishte i pranishëm edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
Me Vizerin, xhudoja sa shkon e forcohet si sport. Ndërkohë edhe rritja e xhudos në Kosovë duket e pandalshme.
“Kjo më bën shumë krenar”, ka përsëritur presidenti Vizer.