Paris 2024

Përfundojnë Lojërat e Parisit, Kosova e Shqipëria prej fitueseve

Përfundojnë Lojërat e Parisit, Kosova e Shqipëria prej fitueseve

Ndeshja në mes të basketbollisteve të Francës dhe atyre të SHBA-së ishte ngjarja e fundit e Lojërave Olimpike Verore “Parisi 2024”.

Lojërat që nisën më 26 korrik, po vlerësohen shumë lart. Niveli i pjesëmarrësve ishte superior, ndërsa në të gjitha sportet ka pasur momente dramatike dhe të paharrueshme. Përkundër brengave, telashe të natyrës së sigurisë nuk kishte. Ka pasur atmosferë festive në kryeqendrën franceze, që për më shumë se dy javë ishte qendër e botës.

Ndeshja e fundit e Lojërave të Parisit mes SHBA-së dhe Francës është vendosur në aksionin e fundit, në sekondën e fundit. Kështu janë vendosur shumë e shumë gara në Paris.

Amerikanet fituan 67:66, kurse vlera e fitores ishte shumë e madhe. Pos që vazhduan dominimin në basketbollin olimpik, ato mundësuan që SHBA-ja të jetë e para në listën e vendeve më të suksesshme në Olimpiadën e Parisit.

SHBA-ja i përfundoi Lojërat me 40 medalje të arta, 44 të argjendta e 42 të bronzta. Gjithsej amerikanët i kanë fituar 126 medalje.

Para ndeshjes së fundit, e para në listë ishte Kina, që megjithatë përfundon e dyta. Kina i ka 40 të arta, 27 të argjendta e 24 të bronzta. Gjithsej kinezët i kanë fituar 91 medalje, por lista përpilohet në bazë të medaljeve të arta. Japonia është e treta me 20 të arta dhe 45 medalje gjithsej. Pasojnë Australia me 18 të arta dhe 53 gjithsej dhe Franca me 16 të arta e 64 gjithsej. Në dhjetëshen më të suksesshme janë edhe Holanda, Britania e Madhe, Koreja e Jugut, Italia e Gjermania.

Vetëm 91 prej 206 delegacioneve kanë fituar medalje në Lojërat e Parisit. Pra më shumë se gjysma e vendeve të botës kanë mbetur pa medalje.

Falë xhudos, Kosova është në listën e vendeve me medalje të fituara. Me një të argjendtë e një të bronztë, Kosova është e 73-ta. 

Shqipëria për herë të parë në histori ka medalje olimpike. Dy mundësit e natyralizuar Chermen Valiev e Islam Dudaev, që janë nga Rusia, fituan medalje bronzi. 

Shqipëria ndan vendin e 80-të me Grenadën, Malajzinë dhe Porto Rikon.

“Jemi larguar me dy medalje dhe një vend të pestë të Akil Gjakovës që për mua ka vlerën e medaljes. Duhet të jemi realë dhe të vlerësojmë se ky është sukses i madh. Medalja olimpike fitohet me shumë, shumë mund. Unë jam shumë krenar me këtë që kemi arritur. Kjo më motivon të ecim tutje. Edhe Shqipëria i fitoi dy medalje dhe uroj të gjithë për suksesin shqiptar në këto Lojëra Olimpike”, ka thënë të dielën për KOHËN, trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka.

Yjet më të mëdha të sportit botëror, pos në futboll, janë paraqitur në Lojërat e Parisit. Të tjerë dolën në skenë. Për Lojërat e Parisit do të flitet gjatë.

Por tashmë në mendjen e shumë sportistëve është Olimpiada e radhës që në vitin 2028 mbahet në Los Angeles.