Shumica e sportistëve që përfaqësojnë territoret palestineze në Olimpiadën e Parisit, u lindën diku tjetër – në Arabinë Saudite, Dubai, Gjermani, Kili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, ata thellë do të mundohen ta përfaqësojnë denjësisht vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve.
Mezi presin të garojnë, por thonë se prezenca e tyre në Olimpiadë nuk është vetëm për sport. Për shkak të dhjetëra mijëra të vrarëve në Gaza, këta tetë atletë – dy prej të cilëve vijnë nga Bregu Perëndimor – kanë më shumë arsye për të nisur garat.
Yazan Al Bawwab, notari 24-vjeçar që u lind në Arabinë Saudite dhe jeton në Dubai, ka thënë se nuk pret që paraqitjet e tij në pishinë të bëjnë bujë. Ai e përdor notin, siç thotë ai, “për Palestinën”.
“Për fat të keq, askush nuk më ka pyetur për garat që unë i bëj. Askujt nuk i intereson”, ka thënë Al Bawwab, prindërit e të cilit janë nga Jerusalemi dhe Lodi, qytet që sot është në qendër të Izraelit. “Do të jem i qartë dhe i sinqertë: Franca nuk e njeh Palestinën si shtet. Por unë do të jem aty, duke e ngritur flamurin tim. Ky është roli im”.
Omar Ismail, i cili u lind në Dubai nga prindër të cilët vijnë nga qyteti Jenin i Bregut Perëndimor, ka ambicie të larta sportive. Pak pasi fitoi vendin në ekip në një turne kualifikues të taekwondos në Kinë, 18-vjeçari tha se synimi i tij është medalja e artë në Paris.
Por edhe nëse nuk fiton medalje, Ismaili – i cili kishte vizituar të afërm në Jenin, beson se pjesëmarrja e tij simbolizon diçka më të madhe se ai.
“E përfaqësoj identitetin e popullit të Palestinës, qëndrueshmërinë e tyre”, ka thënë Ismail. “Dua që t’i inspiroj fëmijët e Palestinës, t’u tregoj se secili nga ta mund t’i arrijë synimet që i ka dhe t’u jap shpresë”.
Edhe në rrethanat më të mira, është e vështirë të mbahet një program stërvitor për Olimpiadë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin lindor. Kjo sfidë është bërë pothuajse e pamundur pas nëntë muajsh luftë mes Izraelit dhe Hamasit.
Shumica e infrastrukturës shtetërore të shtetit, klubeve dhe institucioneve, është shkatërruar, ka thënë Nader Jayousi, drejtori teknik i Komitetit Olimpik të Palestinës.
“A e dini sa pishina të pranuara janë në Palestinë? Asnjë”, ka thënë Al Bawwab, i cili ka theksuar se ekonomia e Palestinës është shumë e dobët që vazhdimisht të zhvillojë sportistë elitar. “Nuk ka sporte në Palestinë. Aktualisht jemi shtet që nuk ka mjaftueshëm ushqim dhe strehim, dhe jemi duke menduar se si të qëndrojmë gjallë. Ende nuk jemi shtet i sporteve”, ka deklaruar ai.
Sportistët palestinezë do të garojnë në boks, xhudo, not, qitje, atletikë dhe taekwondo.