Përderisa po kalonte nëpër lumin Sena në Paris gjatë ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike, një fjalë erdhi në mendjen e notarit nga Haiti, Alexandre Grand’Pierre.
“Ikonik”.
Për shtatë sportistët që përfaqësojnë Haitin, paraqitja në Lojërat Olimpike në “Parisi 2024” gjithmonë ka pasur të bënte me më shumë se vetëm fitimi i medaljeve të arta. Për një sportist si Grand-Pierre, i cili është familjar i ngushtë edhe me dy sportistë të tjerë në këtë Olimpiadë, më shumë ka të bëjë me përcjelljen e një mesazhi për shpresë, për kombin që po trazohet nga dhuna e bandave dhe politika.
“Duam të tregojmë se jemi në gjendje të paraqitemi në skenën botërore dhe jemi pozitivë, pavarësisht jostabilitetit që e ka kapluar vendin tonë. Duam që të japim shpresë për gjeneratat e reja, sidomos për sportistët e rinj. Edhe ata mund të shkojnë në Lojëra Olimpike”, ka thënë Grand-Pierre 21-vjeçar të enjten për “Associated Press”.
“Përfaqësimi i shtetit gjithmonë ka qenë më i madh se unë”, shtoi ai.
Sportistët dëshirojnë që ta përmirësojnë imazhin për këtë shtet, nëpërmjet simbolit të krenarisë. Bëhet fjalë edhe për rikthimin e historisë nga Franca, ish-kolonizuesja e Haitit për më shumë se një shekull.
Por rruga për në Francë nuk ka qenë e lehtë.
Haiti është goditur nga bandat e ndryshme që prej vitit 2021, kur u vra presidenti Jovenel Moise. Jeta normale në kryeqytetin Port-au-Prince thuajse nuk ekziston, njësoj si sporti.
Ekipi olimpik i Haitit u bashkua me forcën e vullnetit, ka thënë Fritz-Gerald Fong, udhëheqësi i delegacionit të ekipit olimpik të Haitit.
Njësoj si kryeqytetin e Haitit, bandat kanë marrë edhe arenat sportive.
Sportistë të nivelit të ulët në këtë shtet janë vrarë, thotë Fong.
Komiteti Olimpik i Haitit ka thënë se për shkak të emigrimit i ka humbur 80 për qind të trajnerëve.
“Ky është mesazh për njerëzit e Haitit, për shtetin dhe për botën. Të heqim dorë nuk ka qenë opsion”, ka thënë Fong. “Njerëzit nuk kanë shpresë. Dhe për muaj të tërë kanë valëvitur flamurin duke na përkrahur. Po krijojmë pak shpresë për këta njerëz”.
Rënia e Qeverisë nënkuptonte se deri në nisje të Olimpiadës, ekipi nuk kishte para për t’i përkrahur sportistët. Pak para Olimpiadës, qeveria e Haitit më në fund u ndau 74 mijë e 600 dollarë nga buxheti i 405 mijë dollarëve.
Sikur kjo të mos mjaftonte, më herët gjatë këtij viti, shteti edhe një herë tjetër u rrethua nga bandat. U anuluan fluturimet për të dalë jashtë Haitit, u pengua edhe fluturimi i sportistëve për kualifikimet olimpike, thotë Fong.
Pra, njësoj si komitetet olimpike të vendeve tjera të përfshira në krizë, si ekipet e Palestinës dhe Ukrainës, Haiti është mbështetur në sportistët që jetojnë jashtë territorit, si Grand-Pierre.
Ai u lind në Kanada dhe ka stërvitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por ai falë prindërve nuk e ka harruar gjuhën, ushqimin dhe kulturën e Haitit.
“Të rritesh në SHBA, shumë lehtë mund të humbësh një pjesë tënden. Por ata bënë që unë të rritesha siç duhet dhe të rrija i lidhur me prejardhjen”, thotë ai.
Në Paris ai është bashkë me gjashtë sportistët e tjerë që garojnë apo kanë garuar në atletikë, gjimnastikë, xhudo, boks dhe not. Përderisa ende nuk është fituar ndonjë medalje, 25-vjeçari Christopher Borzor ishte në mesin e atyre që u kualifikua në raundin e dytë të garës së vrapimit 100 metra.
“Sa u përket financave, nuk kemi shumë para për të garuar, udhëtuar dhe për t’u futur në hotele. Shumica e parave kanë dalë nga xhepi im, duke fluturuar nëpër vende për të garuar për Haitin”, thotë Borzor, i cili u largua nga Haiti në moshën 6-vjeçare. “Por i kam thënë vetes se një ditë do të jem këtu”.
Për dikë, prezenca e Haitit në Francë është pikë politike.
Haiti e fitoi pavarësinë nëpërmjet një revolte të skllevërve, në vitin 1804. Franca kërkoi nga Haiti që t’i paguante humbjet nga skllevërit, ndërsa “New York Times” shkroi se kjo shumë e parave arriti në 21 miliardë dollarë. Një pjesë e atyre parave është përdorur edhe për ndërtimin e Kullës së Ajfelit.
Për këtë arsye edhe parakalimi i ekipit olimpik të Haitit ishte emocionues përgjatë lumit Sena.
Parakalimi i këtij ekipi në televizion u pa për rreth nëntë sekonda.
“Por në këto nëntë sekonda mendoj se Haiti e shkroi historinë”, ka thënë Stella Jean, disenjatorja e veshjeve të ekipit olimpik të Haitit.
“Këta sportistë të rinj parakaluan nën Kullën e Ajfelit, për të cilën kontribut ka dhënë edhe Haiti”.
Marjorie Chouloute, nëna e notares 14-vjeçares, Mayah Chouloute, thotë se parakalimi në atë lumë është shikim kah e ardhmja.
“Kur kaloi barka jonë në ceremoninë hapëse, të gjithë flisnin se sa të shtypur jemi. Kjo është e vërtetë”, thotë ajo. “Por, Haiti është më shumë sesa problemet që i ka”.
Në muajt e fundit Haiti e ka zgjedhur kryeministrin e ri dhe një mision i Kombeve të Bashkuara po i lufton bandat. Përderisa shteti po bën hapa para drejt stabilitetit, ekipi olimpik i Haitit po i bën krenarë shumë njerëz në atë vend. Sportistët kanë thënë se në televizion dhe në radio ka vetëm lajme për olimpistët.
Në Port-au-Prince, 24-vjeçari Marc Andre është në mesin e atyre që i përcjellë sportistët, pavarësisht kohës së papërshtatshme dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike. Ekipi, ka thënë ai, i ka dhënë atij shpresë.
“Haiti ka shumë sportistë të rinj e të talentuar, por nuk e kemi mundësinë për shkak të burimeve të pakta”, ka thënë ai. Ai thotë se do të donte që sportistët e Olimpiadës t’i shihte nga afër, në Haiti.
Në të njëjtën kohë Jowee Omicil, komedian dhe muzikant nga Haiti, është në përkrahje të sportistëve, trajnerëve të tyre dhe familjarëve.
Ai ishte krenar kur Chouloute e përfundoi garën e së shtunës në not.
“Shëndet. Po e shikoja flamurin tim. Kjo është histori”, ka thënë Omicil, i cili kishte udhëtuar nga
Montreali për ta parë ekipin nga afër.
“Dua që ju ta dini se njerëzit po ju shohin dhe unë jam njëri nga ta, ka edhe mijëra të tjerë. Njerëzit janë krenarë me ju”.