Paris 2024

Parashikimi: 112 medalje për SHBA-në, 86 për Kinën

Medalje - Paris 2024

Ekipi i Britanisë së Madhe pritet të jetë prej më të suksesshmëve në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Pasi kanë fituar 64, 67 e 65 medalje në tri Olimpiadat e kaluara, britanikët parashikohet të jenë rreth këtyre shifrave edhe në Lojërat e Parisit, që nisin të premten.

Sajti i specializuar për statistika sportive, Gracenote, ka bërë parashikimin në prag të Lojërave në kryeqendrën franceze. Parashikimi është bërë bazuar në shumë faktorë, duke përfshirë formën e shfaqur në vitet e fundit nga sportistët.

Më së shumti medalje pritet të fitojë ekipi olimpik i SHBA-së, plot 112. Prej tyre amerikanëve u parashikohen 39 të arta, 32 të argjendta e 41 të bronzta.

Kina parashikohet të jetë e dyta në listën totale të medaljeve me 86 gjithsej, prej tyre 34 të arta. Britanisë së Madhe i janë parashikuar 63 medalje, prej tyre 17 të arta. Franca është e katërta me 60 medalje gjithsej, prej tyre 27 të arta. Pesëshen e parë e kompleton Australia me 54 medalje gjithsej dhe 15 të arta.

Japonia, Italia, Gjermania, Holanda dhe Koreja e Jugut kompletojnë dhjetëshen e madhe.