Paris 2024

Paraqitja e dytë e Sadikut në Olimpiadë, e para me normë

Donjeta Sadiku

Donjeta Sadiku do të jetë garuesja e vetme nga sporti i boksit që do të paraqitet për Kosovën në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Për boksieren e kategorisë deri 60 kilogramë është hera e dytë që merr pjesë në Lojërat Olimpike. Paraqitjen për herë të parë me normë e vlerëson shumë.

“Do të thotë shumë. Kam punuar shumë për të arritur normën olimpike. Nga fillimi i ciklit olimpik kam filluar me stërvitje dhe i kam thënë vetes që këtë cikël olimpik, nuk do të jetë vetëm kualifikimi. Shpresoj të kem fat dhe të realizohet ëndrra ime që e kam pasur gjatë gjithë karrierës time”, ka thënë Sadiku.

Ajo ka theksuar se synon ta realizoj ëndrrën e kamotshme – medaljen në Olimpiadë.

“Normalisht që është medalja olimpike. Është fjalë e madhe, por shpresoj ta bëj ëndrrën time realitet”, është shprehur Sadiku.

Sadiku mori pjesë edhe në Lojërat Olimpike të mbajtura në vitin 2021 në Tokio. Por ajo u ndal herët, ndërsa në Paris ka synime të mëdha.