Kampionia e botës në not, Sarah Sjostrom, ka fituar në disiplinën 50 metra stil të lirë në Lojërat Olimpike të Parisit të dielën.
Javën e kaluar, ajo ia siguroi Suedisë edhe titullin në 100 metra stil të lirë.
Notarja australiane, Meg Harris, e fitoi medaljen e argjendtë, kurse kinezja Zhang Yufei, të bronztën.
Për 30-vjeçaren Sjostrom është pjesëmarrja e pestë në Lojëra Olimpike.
Në “La Defense Arena” të dielën, Sjostrom mbërriti në përfundim të garës për 23.71 sekonda.
Harris ishte e dyta me 0.26 sekonda prapa saj, kurse Zhang arriti me 0.49 sekonda vonesë. Sjostrom ishte medaliste e argjendtë në këtë disiplinë në Tokio para tre vjetësh. Ajo ka gjashtë medalje individuale në tri Lojëra Olimpike, tri të arta, dy të argjendta e një të bronztë.