Fituesja e medaljes së artë olimpike, Nora Gjakova, do të bëhet garuesja e vetme e ekipit aktual që do ta përfaqësojë Kosovën në tri edicione të Lojërave Olimpike.
Nora mori pjesë në “Rio 2016” dhe “Tokio 2020” , kurse do të paraqitet në Lojërat “Paris 2024”, që nisin të premten dhe përfundojnë më 11 gusht.
Nga Tokio, Nora u kthye me medalje të artë në xhudo, ndërsa synon medalje edhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Medalje priten edhe nga xhudistët tjerë, veçanërisht nga e arta tjetër e Kosovës, Distria Krasniqi. Xhudoja kosovare medalje të artë ka fituar edhe në Rio, falë Majlinda Kelmendit.
Nora garon në kategorinë deri 57 kilogramë.
“Është ndjenjë e veçantë, pasi ka qenë një rrugëtim i gjatë, më tepër se 20 vjet që po merrem me sportin e xhudos dhe është kënaqësi që për herë të tretë do ta përfaqësoj Kosovën në Lojërat Olimpike”, ka thënë Nora për sajtin e KOK-ut.
Krahas Norës dhe Distrisë, sportin e xhudos me normë e përfaqësojnë edhe Akil Gjakova i kategorisë deri 73 kilogramë, Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë dhe Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë. Me normë Kosovën e përfaqëson edhe boksierja Donjeta Sadiku. Ajo garon në kategorinë deri 60 kilogramë.
Me ftesë marrin pjesë edhe atletja Gresa Bakraqi, e cila do të paraqitet në disiplinën 800 metra vrapim si dhe notarët, Hana Beiqi në disiplinën 50 metra stil i lirë dhe Adell Shaboviq në 100 metra stil i lirë.
Nora dhe Akil Gjakova do ta bartin flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse. Në tri Olimpiada është paraqitur edhe Majlinda Kelmendi një për Shqipërinë e dy për Kosovën.