Sprinteri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Noah Lyles fitoi medaljen e artë në 100 metra në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Lyles fitoi për pesë të mijtat e sekondës para xhamajkanit Kishane Thompson.
Medaljen e bronztë e fitoi amerikani tjetër Fred Kerley, që regjistroi kohë 9.81 sekonda.
Ishte një nga garat me përfundimin më të barabartë ndonjëherë në Lojërat Olimpike.
Të dy kaluan vijën e fundit në kohën prej 9.70 sekondash. Ishte xhamajkani Thompson i cili festoi duke menduar se kishte fituar. Por shpejt u përcaktua se Lyles e kishte kaluar vijën i pari.
“Është ajo që doja. Ishte garë e vështirë, ishin kundërshtarë të mrekullueshëm. Të gjithë erdhën të përgatitur për këtë garë dhe unë doja të vërtetoja se jam i pari nga të gjithë, ujku mes ujqërve”, ka thënë ai.
Lyles që njihet edhe si zbavitës i madh i të pranishmëve nëpër stadiume të ndryshme të garave, arriti të stoliset me medaljen më të vlefshme, në pjesën e dytë të garës.
Në “Stade de France”, Lyles dhuroi përfundim spektakolar për t’i përfunduar me sukses Lojërat Olimpike, ndonëse kishte fillim të ngadaltë.
VIDEO-FINISHI:
Photo finish men’s 100m
Noah Lyles set a personal best of 9.784 seconds edging out Kishane Thompson by a mere 0.005 seconds.
The blink of an eye lasts 0.1 seconds.pic.twitter.com/ExiGQW4ss1
Ish-kampioni i botës, amerikani Fred Kerley, e fitoi të bronztën me kohën 9.81 sekonda. U ngjit në podium pasi përfundoi para jugafrikanit Akani Simbine.
Lyles u bë amerikani i parë që e fiton të artën në 100 metra vrapim, që prej Justin Gatlinit në vitin 2004 në “Athina 2004”.
“Të thashë”, bërtiti Lyles pas fitores së tij ndërsa vraponte në shtegun e atletikës. Më pas ai ndau një përqafim emocional me nënën e tij, e cila ishte në lot në tribunë pasi ishte dëshmitare e djalit të saj duke bërë histori.
Ishte hera e parë që tetë atletë përfunduan garën 100 metra më pak se dhjetë sekonda.
