Paris 2024

Ngamba ia garanton Ekipit të Refugjatëve medaljen e parë olimpike

Cindy Ngamba

Cindy Ngamba

Boksierja kamerunase Cindy Ngamba të dielën ka shkruar histori duke ia garantuar Ekipit Olimpik të Refugjatëve medaljen e parë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Ajo fitoi me vendim unanim ndaj boksieres franceze, Davina Michel, në kategorinë deri 75 kilogramë dhe arriti në gjysmëfinale të turneut të boksit në Lojërat e Parisit.

“Të bëhem refugjatja e parë që fiton medalje, do të thotë gjithçka për mua. Unë jam njeri, njësoj si çdo refugjat tjetër. Thjesht jam sportiste”, ka thënë Ngamba.

Ngamba 25-vjeçare është e vendosur të kualifikohet në finale dhe ta fitoj medaljen e artë në turneun e boksit në Lojërat e Parisit. Por edhe nëse humb meçin e radhës, ajo tashmë e ka të garantuar medaljen e bronztë.

“Shpresoj që ta ndryshoj ngjyrën e medaljes, ta fitoj gjysmëfinalen”, ka thënë ajo

Në gjysmëfinale e cila do të zhvillohet të enjten, Ngambo do të takohet me boksieren nga Panamaja, Atheyna Bylon.

Ajo ka falënderuar sportistët tjerë të Ekipit të Refugjatëve që ishin të pranishëm për ta mbështetur.

“Disa prej tyre sakrifikuan kohën e tyre për të ardhur dhe për të më mbështetur. E vlerësoj nga zemra”, është shprehur ajo.

Ngamba në moshën 11-vjeçare migroi në Mbretërinë e Bashkuar. Statusin e refugjates e fitoi në vitin 2021, por iu refuzua shtetësia britanike dhe kështu në Paris po garon si boksiere e Ekipit Olimpik të Refugjatëve. Me plot suksese madje.

Ngamba ishte bartëse e flamurit të Ekipit Olimpik të Refugjatëve në Lojërat e Parisit i përbërë nga 37 sportistë.

Ekipi i Refugjatëve ishte ndër delegacionet e para olimpike që parakaluan përgjatë lumit Sena në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.

Ekipi Olimpik i Refugjatëve garoi për herë të parë në Rio në vitin 2016. Rezultati më i mirë i Ekipit Olimpik të Refugjatëve ishin dy vendet e pesta të arritura nëpërmjet karateistit Hamoon Derafshipour dhe Kimia Alizadeh në taekwondo.