Dy kundërshtarë afrikanë u përballën në ndeshjen për medalje të bronztë në turneun olimpik të futbollit në Paris të enjten mbrëma.
Dhe fitues në fund doli Maroku, që fitoi thellë 6:0 ndaj Egjiptit, në stadiumin e Nantesit.
Abde Ezzalzouli dhe Soufiane Rahimi shënuan në pjesën e parë dy gola brenda tre minutash, ndërsa në pjesën e dytë Bilal El Khannouss shënoi për rezultatin 3:0, gjashtë minuta pas pushimit. Rahimi e shënoi edhe një tjetër gol për 4:0, ndërsa dy golat e fundit në ndeshje u realizuan nga Akram Nakach dhe Achraf Hakimi.
Rahimi në këtë turne ka tetë gola gjithsej, dhe u bë lojtari i parë që shënon në gjashtë ndeshje rresht në Lojërat Olimpike.