Paris 2024

Maratona olimpike pa favoritin kryesor: Do të vrapojmë për të

Kelvin Kiptum

Përfaqësimi i vendit të tij ishte ëndrra e Kelvin Kiptumit qëkur ishte 13-vjeçar. Një dekadë më pas dhe me përvojë në vetëm tri maratona, ai zuri vend të përkohshëm në ekipin olimpik të Kenisë, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme.

Me vrapimin prej 2 orë e 35 sekonda në maratonën e Chicagos gjatë vitit të kaluar, ai përmirësoi rekordin për plot 34 sekonda. Dhe Kiptum e siguroi vendin e tij në përfaqësuesen e Kenisë për garim në Maratonën e Lojërave Olimpike të Parisit. Ishte favoriti kryesor për të artën në garën që mbahet të shtunën në mëngjes në kuadër të Lojërave Olimpike të Parisit. 

Por atleti shumë premtues vdiq në një aksident automobilistik në qytetin Kapsabet në Keninë Perëndimore, më 11 shkurt. Vdiq pa e realizuar ëndrrën dhe kështu vrapimi në maratonë do të jetë më i varfër për favoritin kryesor.

Gjenialiteti i Kiptumit megjithatë do të mbetet gjatë në kujtesë. Qartë se shumë njerëz do të mendojnë për të kur 82 vrapuesit të nisën në Maratonën e Parisit, të shtunën, në orët e hershme të mëngjesit.
Bashkëatdhetari i tij, Benson Kipruto, është një nga favoritët për ta fituar vrapimin sfidues në 42 kilometra e 195 metra. Kipruto do të mendojë shumë për shokun e ndjerë.

“Kelvini,  njëjtë si sportistët si Usain Bolti,  ishte talent që shfaqet një herë”, tha Kipruto. “Ai pa asnjë dyshim ishte shumë i veçantë”.

Kipruto e Kiptum garuan së fundi së bashku në Chicago, vitin e kaluar. Kipruto mbeti tre minuta prapa rekordmenit.

“Më kujtohet se sa i shpejtë ishte ritmi i tij në kilometrën e pestë. Më kujtohet edhe që nuk mund ta përcillja. Kur kalova vijën e finishit dëgjova për rekordin e botës dhe u befasova. Por nuk isha i shokuar”, thotë Kipruto, fitues i tri maratonave. “Të gjithë ne e dimë se Kelvini është dashur të jetë në Paris dhe ta udhëheqë këtë maratonë. Pra pa dyshim ai do të mbahet në mend. Unë do ta përfaqësoj atë gjithashtu. Kjo mund të ndikojë që unë të punoj më shumë për t’u siguruar  të kem gjithçka që duhet për të fituar”.

Maratona e atleteve do të mbahet të dielën. Hellen Obiri, vrapuesja nga Kenia, po ashtu dëshiron të nderojë shokun e skuadrës. Kiptum vdiq së bashku me trajnerin nga Ruanda, Gervais Hakizimana.
“Prania e tij do të jetë e përhershme. Për ekipin e Kenisë është si ‘ta bëjmë këtë për të’. Ne duam ta bëjmë atë për të. Duam të fitojmë për vendin”, ka thënë Obiri.