Paris 2024

Majlinda tregon se kujt i takojnë meritat për suksesin e xhudos kosovare

Majlinda Kelmendi

“Xhudoja në Kosovë ka fituar njohje të konsiderueshme, sidomos për shkak të arritjeve të jashtëzakonshme të sportistëve të saj në skenën ndërkombëtare”.

Kështu e ka nisur Unioni Evropian i Xhudos shkrimin për Majlinda Kelmendin, që tetë vjet më parë fitoi medaljen e artë olimpike në Rio.

Majlinda tani është pjesë e shtabit teknik të kryemjeshtrit Driton Kuka, ndërsa në Lojërat e Parisit udhëhoqi nga këndi Laura Fazliun, Nora Gjakovën e Loriana Kukën. Kjo u bë që kryemjeshtri Kuka të mund të fliste më shumë për xhudistët nga tribunat. Nga këndi i trajnerit komunikimi lejohet vetëm gjatë ndërprerjes së luftës.

“Suksesi i vendit në xhudo është burim krenarie kombëtare dhe ka ndihmuar në ngritjen e profilit të sportit brenda Kosovës. Legjenda e gjallë, kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi ishte në skenë në Paris. Por për herë të parë në Lojërat Olimpike, ajo ka qëndruar përkrah tatamit, ndonëse edhe kështu ishte pjesë e aksionit. Përvoja si trajnere ishte ndryshe nga ajo si garuese”, shkruan tutje EJU.

Majlinda ka thënë se nuk ishte përvojë e lehtë, por se e ka shijuar plotësisht. Asaj i është dukur se do të luftojë, ka pasur shumë stres por e ka menaxhuar mirë.

“Kur Laura fitoi kam pasur ndjenjën sikur ta fitoja medaljen olimpike për vete. Laura ka mundur të bëjë më shumë, por ka pasur shumë presion. Prapë është në rregull ajo fitoi medalje”, ka thënë Majlinda Kelmendi.

Ajo ka folur për largimin e Loriana Kukës nga sporti. Ka treguar për sukseset që i kishte.

“Në përgjithësi jam shumë e kënaqur me paraqitjen e të gjithëve. Nora dhe Lori ishin lënduar tre muaj më parë dhe ishte vështirë për to të përgatiten mirë. Akili ishte i mahnitshëm dhe është mëkat që nuk fitoi medalje. Distria kishte aq vetëbesim  si gjithnjë. Dua të falënderoj bosin e madh, Tonin, që më besojë dhe më lejojë në karrigen e trajneres. Ndihem e bekuar. Falë tij, Kosova ka fituar pesë medalje olimpike, të gjitha në xhudo. Jemi shumë të lumtur dhe mirënjohës”, ka theksuar Majlinda.

EJU ka vazhduar shkrimin duke vlerësuar se xhudoja solli famë ndërkombëtare për Kosovës. 

“Arritjet e xhudistëve të Kosovës janë dëshmi e punës së palodhur, talentit dhe sistemit efektiv të mbështetjes në vend, duke bërë xhudon pjesë të rëndësishme të kulturës dhe identitit sportiv të Kosovës”.