Paris 2024

Lojërat Olimpike hapen me ceremoni madhështore

Parakalimi i Kosovës

Parakalimi i Kosovës

(23:25) - Lojërat Olimpike të Parisit kanë nisur edhe zyrtarisht. Tre vjet pas Olimpiadës së “Tokio 2020”, që u mbajt në verën e vitit 2021 dhe pa shikues për shkak të pandemisë së koronavirusit, krejtësisht atmosferë tjetër pati të premten në kryeqendrën e Francës. Më shumë se 10 mijë sportistë nga më shumë se 200 vende mbajtën flamujt e shteteve të tyre dhe ishin krenar për këtë. Ata do t’i kalojnë 19 ditë në kërkim të së artës, argjendtës apo të bronztës, në “Qytetin e Dritave”. Shkëlqim ngjyrë ari, Kosova pati në dy Olimpiadat e kaluara. Në “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi kishte fituar të artën në kategorinë deri në 52 kilogramë. Në “Tokio 2020”, Distria Krasniqi në kategorinë deri në 48 kilogramë dhe Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë, u shpallën kampione olimpike. Të tjera medalje priten në “Parisi 2024”.

Distria mungoi të premten në ceremoninë hapëse, bashkë me kryemjeshtrin Driton Kuka dhe ndihmësen Majlinda Kelmendi. Mungoi edhe boksierja Donjeta Sadiku. Ata vendosën të pushonin në mënyrë që të jenë sa më të përqendruar për garat që do t’i kenë në ditët në vijim.

Flamurin e Kosovës të premten e mbajtën Akil dhe Nora Gjakova. Pjesë të barkës që barti ekipin e Kosovës ishin edhe xhudistet Laura Fazliu e Loriana Kuka, atletja Gresa Bakraçi dhe notarët, Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi.

Çdo ngjarje Olimpike sjellë traditat e shteteve në ceremonitë hapëse, por edhe spektaklin. Në Francë po flitet vetëm për “shtet të bashkuar”. Madhështore ishte e gjithë përgatitja e ceremonisë në lumin Sena, në zemër të Parisit ku defiluan gjithë ekipet pjesëmarrëse dhe për rreth pesë orë pati superspektakël.

Greqia parakaloi e para, ndërsa Ekipi Olimpik i Refugjatëve ishte i dyti. Shqipëria ishte e pesta në renditje. Kosova e 99-ta. E fundit ishte Franca si shteti nikoqir i Olimpiadës 2024, ndërsa para saj parakaluan Australia dhe SHBA-ja. SHBA-ja do të jetë nikoqire e Lojërave Olimpike 2028, kurse Australia e vitit 2032.

Ishte hera e parë që një Olimpiadë u hap në një ambient jashtë stadiumeve olimpike.

Mbi një miliardë njerëz e shikuan nëpër televizione, ndërsa në lumin Sena dhe në gjithë Parisin ishin vendosur 80 ekrane gjigante për ta përjetuar këtë ngjarje.

Me mijëra artistë ishin pjesëmarrës, por pati edhe shumë yje botërorë që ishin të ftuar.

Shiu i rrëmbyeshëm bëri që shumë prej përcjellësve të ngjarjes të largoheshin, por pjesa tjetër e përcolli atë deri në fund. LeBron James dhe Coco Gauff, që ishin mbajtës të flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thanë se as shiu nuk mund t’i ndalë.

“Për mua dhe Cocon është nder që e përfaqësojmë shtetin. Ne përfaqësojmë kulturën dhe kaq kërkojmë. E kemi pranuar këtë detyrë me përgjegjësinë dhe nderin më të madh. As shiu nuk mund të na ndalë”, ka thënë James, shkruan “Associated Press”.


(22:55) - Emmanuel Macron hap zyrtarisht Lojërat Olimpike

“I shpall zyrtarisht të hapura Lojërat Olimpike”, ka thënë presidenti francez.


(22:31) - Ngritet flamuri olimpik me notat e himnit olimpik përballë kullës Eiffel. 


(22:15) – Sportistët që janë në Tahitin e largët përshëndesin audiencën. Në Tahiti do të zhvillohet gara e sërfit.


(21:52) - Në fund parakalon Franca, vendi pritës i Lojërave Olimpike. Do të marrë pjesë me 573 sportistë. 


(21:05) - Xhudistët Akil dhe Nora Gjakova e kanë mbajtur flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të "Parisi 2024". Delegacioni kosovar përbëhet nga nëntë sportistë. 

Reshjet e mëdha të shiut kanë bërë që entuziazmi te shikuesit të jetë më i vogël.

VIDEO:


(20:57) - Axelle Saint-Cirel interpreton himnin kombëtar francez.


(20:38) - Lumi Sena ka disa ura të vogla, parakaluesve u nxjerrë problem

Sportistët në disa barka më të mëdha duhet t’i ulin flamujt të cilët i valëvisin për shkak se po kalojnë nëpër disa ura të vogla në lumin Sena.

Shiu i rrëmbyeshëm po ashtu u ka sjellë telashe edhe të pranishmëve që po e shikojnë ceremoninë.

Shumë prej tyre kanë nisur të largohen.


(20:25) - Slogani i famshëm francez “Liri, barazi, vëllazëri” është shfaqur në hapjen e Lojërave Olimpike.

Pishtari misterioz është rishfaqur - kush është ai?


(19:57) - 85 barka do të parakalojnë përgjatë lumit Sena, të mbushur me sportistë, shkruan “BBC”.

Greqia parakaloi e para, ndërsa ylli i ligës NBA, Giannis Antetokounmpo, ishte mbajtësi i flamurit të Greqisë.

Pas tyre parakaloi Ekipi Olimpik i Refugjatëve, ndërsa Cindy Ngamba e mbajti flamurin.

Boksierja jeton në Bolton dhe ushtron me ekipin e Britanisë së Madhe, por nuk ka mundur t’i përfaqësojë britanikët pasi nuk ka nënshtetësi.

Ka parakaluar edhe ekipi olimpik i Shqipërisë, me tetë sportistët, Luiza Gega, Franko Burraj, Islam Dudaev, Chermen Valiev, Zelimkhan Abakarov, Kaltra Meça, Grisi Koxhaku dhe Manjola Konini.


(19:52) - Këngëtarja e njohur Lady Gaga performon në hapje të Lojërave Olimpike


(19:44) - Nis parakalimi i sportistëve të Shqipërisë, prej të parëve


(19:25) - Nga data 26 korrik deri më 11 gusht do të zhvillohen 329 aktivitete në 32 sporte në Lojërat Olimpike "Parisi 2024", por edhe në 16 qytete të tjera të Francës dhe në Tahitin e largët, ku do të marrin pjesë 10.714 sportistë – mes tyre nëntë nga Kosova.

Ceremonia e hapjes (19:30) është unike sepse, ndryshe nga programi i zakonshëm në Stadiumin Olimpik, këtë herë zhvillohet në lumin Sena dhe sheshin Trocadero.

Flamurin e Kosovës do ta mbajnë xhudistët Akil dhe Nora Gjakova. Kosova është e 99-ta në radhë për të defiluar. Në ceremoni është e pranishme edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Ekipi i Kosovës në Lojërat Olimpike
Ekipi i Kosovës në Lojërat Olimpike / Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu, Loriana Kuka (xhudo), Donjeta Sadiku (boks), Gresa Bakraqi (atletikë), Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi (not)

Ndiqni LIVE ceremoninë hapëse: