Paris 2024

Lidhja e fuqishme e xhudos kosovare me Parisin

Distria Krasniqi

Pjesë e ekipit të Kosovës në fshatin olimpik në Paris është Majlinda Kelmendi. Ajo është ndihmës-trajnere e kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka.

Majlinda kishte karrierë impresive si xhudiste dhe tani po bën hapa të rëndësishëm si trajnere. Ka fituar, ndër të tjera, medalje të artë olimpike, dy tituj të botës e shumë tituj të Evropës. Lista e sukseseve të saj është e gjatë.

Dhe një pjesë të mirë të sukseseve i ka arritur në Paris, ku po mbahen Lojërat Olimpike. 

Plot 15 vjet më parë, Majlinda, në kryeqendrën franceze paralajmëroi karrierën e madhe. Fitoi titullin e botës për juniore, në kategorinë deri 52 kilogramë. Kjo ndodhi më 23 tetor të vitit 2009.

Ishte kohë krejt tjetër. Kosova nuk ishte pjesë e asociacioneve ndërkombëtare të sportit dhe xhudistët me shumë sfida, kryesisht falë insistimit të trajnerit Kuka, ia dilnin të paraqiteshin në gara ndërkombëtare. 

Në atë Botëror, Majlinda e ka prezantuar Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Por tashmë shumë njerëz po pyesnin për Majlindën, vajzën e fortë nga Kosova.

Në vitin 2011, Majlinda dha shenjat e para në Grand Slamin e Parisit, garën më të famshme të xhudos. U rendit e pesta. Në vitin 2013, përjetoi për herë të parë podiumin në Paris. U rendit e dyta  në Grand Slam.

Garën e Parisit e fitoi për herë të parë në vitin 2014, ndërsa shkëlqeu edhe në vitet 2015, 2016 e 2017. Pra i ka katër tituj rresht në arenën e famshme “Bercy”.

Majlinda vazhdimisht flet me emocione për suksesin në Paris dhe për lidhjen që përmes xhudos e ka krijuar me këtë qytet.

Lidhje  të fortë me Parisin kanë edhe xhudistët e ekipit aktual.

Nora Gjakova fitoi medalje të bronztë në Grand Slamin e Parisit në vitin 2020, ndërsa në këtë garë është paraqitur rregullisht.

Distria Krasniqi me medalje në Paris nisi në vitin 2017. Fitoi fillimisht medalje bronzi. E treta ishte edhe në vitin 2018, kurse hapin para e bëri në vitin 2019, kur e fitoi medaljen e argjendtë. E artë ishte në vitin 2020, në vitin 2023 e po ashtu edhe këtë vit. Medalje argjendi fitoi edhe në vitin 2022. Pra është në seri impresive në kryeqendrën franceze.

Emocionet më të mira të Parisit i ka përjetuar edhe Akil Gjakova. Ai e fitoi Grand Slamin në vitin 2018.

Sivjet e fitoi medaljen e bronztë.

Në Lojëra Olimpike gara e xhudos nuk është në Bercy. Po mbahet në “Champs de Mars Arena”. Është një objekt i përkohshëm i ndërtuar në vitin 2021 e që do të çmontohet në fund të vitit. 

Por suksesi që shpresohet se do ta arrijnë xhudistët kosovarë, do të mbetet gjithnjë.