Li Fabin i Kinës e ka mbrojtur titullin olimpik në peshëngritje, në kategorinë deri në 61 kilogramë.
Ai ishte dominues të mërkurën në Lojërat Olimpike të Parisit, dhe në total pati ngritje prej 310 kilogramëve.
Tri herë kampioni i botës pati ngritje prej 143 kilogramëve në tentimin e tretë në shkëputje, dhe 167 kilogramë tjera në tentimin e dytë në shtytje. Kjo e fundit e bëri dallimin që ai të jetë kampion olimpik në Paris.
Në tentimin e tretë në shtytje, Li provoi t’i ngrinte edhe 172 kilogramë. Ishte shumë afër, por në momentin kur deshi që peshën ta ngrinte mbi kokë, e humbi ekuilibrin dhe e lëshoi peshën në dysheme.
Tajlandezi Theerapong Silachai e fitoi medaljen e argjendtë pasi ngriti 171 kilogramë në shtytje, ndërsa në total pati 303 kilogramë.
Amerikani Hampton Morris përfundoi i treti për medaljen e bronztë, me totalin e 298 kilogramëve.