Paris 2024

Laura Fazliu për KOHËN: Medaljen ia dedikoj Kosovës

Laura Fazliu

Xhudistja Laura Fazliu e ka vlerësuar të madhe medaljen e bronztë të fituar në debutim në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris. Ajo ka thënë se synimet e saj në të ardhmen janë edhe më të mëdha.

“E di që kam mundur edhe më shumë. Sot kam qenë më shumë e ngarkuar, më shumë se që duhet dhe ajo më ka penalizuar në disa momente. Por medalja olimpike është medalje olimpike dhe jam e lumtur”, ka thënë Fazliu të martën për KOHËN. 

Ajo ka shtuar se sakrifica i është shpërblyer.

“Gjithë kjo sakrificë, gjithë ky mund të shpërblehet mendoj se ia vlejti dhe është diçka e madhe. Medaljen ia dedikoj gjithë Kosovës, familjes, klubit, Majlindës dhe meritorit kryesor Tonit. Nuk do ta kisha këtë medalje po të mos ishte ai. Ai më ka marrë në moshën 14-vjeçare dhe më ka rritur si sportiste. Shyqyr që kjo ka përfunduar mirë”, ka shtuar ajo.

Ajo ka folur edhe për synimet pas katër vjetësh.

“Shyqyr që kjo përfundoi mirë, na mbetet të punojmë për të ardhmen dhe të shohim pas katër vjetësh në Olimpiadën e ardhshme”, ka thënë Fazliu.