Kryeministri Albin Kurti ka thënë se populli i Kosovës u është mirënjohës përjetësisht xhudistëve që kanë fituar medalje olimpike. Në pritjen shtetërore të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të martën në Prishtinë për ekipin olimpik të Kosovës pas kthimit nga Parisi, Kurti ka thënë se xhudistët e Kosovës simbolizojnë “disiplinën dhe përkushtimin”.
Në “Parisi 2024”, xhudoja i solli sërish medalje Kosovës. Distria Krasniqi e fitoi të argjendtën, ndërsa Laura Fazliu të bronztën. Kosova ka fituar medalje, të gjitha në xhudo, sa herë që ka marrë pjesë në Olimpiadë – që kur u pranua për herë të parë në “Rio 2026”.
“Jemi para jush me një ekip të shkëlqyer kampionësh, që na bën krenar anë e mbanë kudo që shkon, nga Rio në Tokio e nga Tokio në Paris. Prijës të sukseseve tona në Olimpiadën e Parisit ishin dy xhudistet tona, Distria Krasniqi e Laura Fazliu. Me shumë punë e me më shumë displinë e gjithnjë me përkushtim, ekipi jonë i xhudos arrit që ta mbajë traditën si shtet për të fituar medalje olimpike në secilën olimpiadë që kemi marrë pjesë deri tash”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka pasur fjalë të mira për të gjithë ekipin e xhudos, përfshirë trajnerët Driton Kuka e Majlinda Kelmendi. Sipas Kurtit, Federata e Xhudos ka kontribut më të madh që Kosova ka kampionë olimpikë.
“Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë kundër superfuqive botërore, mirëpo tani ky fakt është bërë realitet bindës të cilin të gjithë ne po e gëzojmë e rajoni e më gjerë po e vlerëson. Këto rezultate kurrsesi nuk janë të rastësishme. Së bashku me kontributin e të gjithëve e më së shumti nga Federata e Xhudos krijuam kampionë olimpikë dhe do të vazhdojmë të krijojmë në të ardhmen. U jemi mirënjohës përjetësisht”, u shpreh ai.
Kryeministri në fund u ka lënë një porosi sportistëve.
“Vazhdoni të punoni sepse ëndrrat e mira asnjëherë nuk kanë fund”, ka thënë Kurti.