Kryeministri Albin Kurti është shprehur se Kosova mbetet shtet i xhudos, derisa tha se rezultatet e mira të xhudistëve në Lojërat Olimpike Paris 2024, e lartësojnë Kosovën “në sportin elitar botëror”.
Pasi xhudistja Distria Krasniqi mori medaljen e argjendtë të dielën, Kurti u shpreh se ajo dha gëzim dhe shembull.
“Kosova fitoi medaljen e parë në Lojërat Olimpike Paris 2024, me shkëlqimin e argjendtë të Distria Krasniqit në xhudo për femra në kategorinë deri në 52 Kg. Xhudistja e Uzbekistanit në minutin e fundit të finales i largohej Distrias duke e ruajtur epërsinë minimale gjersa kishte edhe një vërejtje. Distria sot gjatë ditës fitoi tri ndeshje: të parën për 39 sekonda, të dytën për 66 sekonda e të tretën për 6 minuta e 10 sekonda (2:10 sekonda në vazhdimin që quhet Golden Score). Jemi krenarë me këtë rezultat që lartëson vendin tonë në sportin elitar botëror dhe e konfirmon që Kosova mbetet Shtet i Xhudos. Të falemnderit Distria për gëzimin dhe shembullin që na jep”, ka deklaruar Kurti në Facebook.
Osmani për Distrinë: Me të artën, drejt së artës
(Përditësuar 17:25) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas suksesit të arritur në Lojërat Olimpike “Paris 2024” nga xhudistja, Distria Krasniqi.
Krasniqi siguroi medaljen e dytë olimpik për Kosovën në Paris. Pas të artës në “Tokio 2020”, Krasniqi e kategorisë deri 52 kilogramë ka siguruar finalen në Paris dhe rrjedhimisht edhe medalje. Të paktën të argjendtën.
“Me të artën, drejt së artës. Kosova në finale!. Forca Disi!”, shkruan në postimin e presidentes Osmani.