Kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka, ka thënë se xhudo do të vazhdojë të jetë traditë për sportin kosovar edhe për shumë vjet të tjera, ndërsa ka paralajmëruar se do të shndërrohet në sport kombëtar.
Në një intervistë në “Interaktiv” të martën nga Parisi, Kuka u shpreh i lumtur me medaljen e bronztë të fituar nga Laura Fazliu në “Parisi 2024”. Në total, Kosova i ka pesë medalje olimpike. Të pesta i ka në xhudo, prej tyre tri të arta.
Kryetari i Federatës së Xhudos është optimist që Kosova do të vazhdojë të ketë xhudistë të mirë.
“Kam besim se do të vazhdoj dominimi. Është sporti i vetëm që ka medalje olimpike. Sporti i xhudos është prej më të vështirëve në sportet olimpike. Janë 212 federata. Konkurrenca është e madhe. Por ne kemi të gjithë xhudistët pjesëmarrës me normë. Xhudo do të vazhdojë si traditë për sportin kosovar edhe për shumë vite të tjera”, ka thënë ai.
Sipas tij, me programin “Kosova shtet i xhudos”, që iniciuar nga Qeveria e Kosovës, janë marrë parasysh të gjitha kërkesat e tyre. Programi, siç thotë Kuka, është në realizim, ashtu si edhe kërkesat e tyre.
“Me program, janë duke u realizuar të gjitha kërkesat tona. Nëse realizohen kërkesat tona, jam i bindur se xhudo do të bëhet sport kombëtar”, u shpreh Kuka.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se po planifikohet të zgjerohet qendra nacionale e xhudos në Pejë. Siç ka thënë Kuka, do të ketë xhudistë nga qytete të tjera që do të mund të vijnë të stërvisin në Pejë.