Paris 2024

Kuka për KOHËN: Më është përmbushur një ëndërr

Driton Kuka

Kryemjeshtri Driton Kuka ka thënë se i është realizuar një ëndërr, që pesë rrathët olimpike të mbushë me medalje. 

Laura Fazliu të martën ka fituar të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Është medalja e dytë për xhudistest kosovare në Paris, pas të argjendtës të fituar nga Distria Krasniqin, ndërsa medalja e pestë olimpike për xhudistet kosovare. Majlinda Kelmendi kishte fituar të artën në “Rio 2016”, e Distria Krasniqi e Nora Gjakova fituan të artat në “Tokio 2020”. 

“Pesë medalje olimpike, si trajner është ajo që e kam pasur ëndërr. Është kënaqësi e veçantë, me vet faktin se medalistja e pestë është një vajzë që ka sakrifikuar, është ndarë prej familjes tash e 10 vjet. Faktikisht e ka përmbushur ëndrrën time jetësore, që ato pesë rrathë olimpike të mbushen me pesë medalje. Jam i emocionuar. Kënaqësi e veçantë”, tha Kuka. 

Ai ka vlerësuar se Laura ka mundur të fitojë edhe të artën, por ngarkesa për të siguruar medalje ka ndikuar tek ajo. 

“Luftë shumë e fortë. Laura ndoshta sot ka mundur edhe më shumë, e meriton edhe të artën me cilësi e kualitet që ka. Realisht ngarkesa e madhe për medalje, si favorite për një nga medaljet bëri të mos jep përformancën më të mirë. Por, medalja është shumë e vlefshme e madhe, gëzuar për shtetin tonë të ri, për gjithë popullin. Jam shumë i lumtur, e çdo minut të jetës e kam dedikuar për sportistët dhe më kanë kthyer në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kuka.