Paris 2024

Kuka: E argjendta e Distrisë, sa dy të arta

Driton Kuka

Kryemjeshtri i xhudos, Driton Kuka, është shprehur i lumtur me medaljen e argjendtë të Distria Krasniqit.

Ai ka deklaruar për KOHËN se kjo medalje e ka vlerën e dy medaljeve të arta.

"Medalja e argjendtë e Disit, ashtu siç i thash edhe Distrisë për mua e ka vlerën sikur t’i fitonte dy të arta. Në fakt, një gjeneratë e shkëlqyeshme po zbret dalëngadalë nga froni, por Distria sot na ka befasuar për të mirë, në një kategori të re, me medalje tjetër olimpike e saj, e argjendtë me shkëlqim të artë. E kam thënë qysh para nisjes shumë herë në shumë media që çdo medalje, madje edhe një e bronztë për Kosovën është medalje me shumë vlerë. Sot jam shumë i gëzuar, nuk e di pse, ndoshta edhe kam filluar të plakem por, si duket çdo medalje që po vjen vit pas viti po më duket më e shijshme dhe më e ëmbël. Atëherë gëzuar për gjithë shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, kudo që janë. Të them të drejtën një finale sfiduese, finale shumë e vështirë, të cilën ndoshta besuam se do ta kalojmë por ja që një gabim i Distrisë kushtoi. Por kur të kihet parasysh që në kategorinë e Distrisë, ajo që është duke dominuar botën, sot ka humbur qysh në xhiron e parë. Flet shumë për çfarë konkurrence, për çfarë përgatitje. Kjo mua më bën jashtëzakonisht të lumtur, medalje e katërt olimpike e imja si trajner. Por e thash edhe në fillim, kjo për mua e ka vlerën sikur dy të arta", ka deklaruar Kuka.

Ai u shpreh se beson që e ka përmbushur qëllimin e shkuarjes në Paris.

 

"Nesër garon Nora dhe Akili, pasnesër Laura, ndërsa pas tri ditësh garon Loriana. Po shpresojmë që ky numër ndoshta eventualisht të rritet. Por unë po mendoj që ne si Kosovë, si Federatë e Xhudos dhe unë si trajner e kemi përmbushur atë për çka kemi ardhur këtu, që të mos kthehemi duarthatë. Ndërsa, shkojmë më tutje nesër patjetër që i kemi në skenë Norën dhe Akilin dhe pastaj ditëve të tjera edhe Laurën dhe Lorianën", ka shtuar Kuka.