Trajneri i Kosovës në xhudo Driton Kuka ka thënë se xhudo është bërë brend për shtetin e Kosovës që po ngrihet lartë e më lartë.
Kryemjeshtri Kuka ka thënë se është shumë i lumtur me dy medaljet e fituara në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Distria Krasniqi fitoi të argjendtën në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu fitoi të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë.
“Xhudo është bërë brend që shtetin e Kosovës po e ngrit lartë e më lartë. Tri Olimpiada me radhë dhe të trija me medalje të fituara. Çfarë të them më shumë. Për bilancin përfundimtar kur pyetëm më vjen me i ngre pesë gishta. Dy medalje të çmuara këto në Paris, medalje të mëdha që shtetin tonë e mbajnë në mesin e shteteve që po fitojnë medalje në Lojërat Olimpike. Është e madhe për një shtet kaq të vogël...Do të vazhdojmë t’i tregojmë gjithë botës se jemi popull i fortë e me virtyte të shumta”, tha Kuka.
Loriana Kuka të enjten u ndal në rrethin e dytë në kategorinë deri 78 kilogramë. Pas garës ajo njoftoi se e ka përfunduar karrierën. Kuka ka thënë se mbesa Loriana ia ka mundësuar familjes që të kenë mundësi për të marrë medalje elitare. Loriana ka fituar medalje evropiane e botërore, por në Olimpiadë nuk ia doli.
“Në këtë Olimpiadë isha i vetëdijshëm që problemet e saja në të dy këmbët, nuk po them të arsyetohem, sepse arsyetimi im konsiston gjithmonë me realitetin. Ishte emocionale jo pse humbi, por pse po e përfundon karrierën. Do të nisë rrugëtim të ri në jetën e saj, i uroj shumë suksese. Si trajner është më e vështirë të bësh disiplinë me një familjar sesa me sportistë, por me Loriana ia arrita qëllimit. Para 4 muajve ajo e pati një lëndim, dhe si asaj ashtu edhe Norës iu sugjerua të operoheshin. Por, nuk pati mundësi se nuk premtonte koha, kështu që Loriana shkoi në Zvicër bëri një intervenim të vogël por ishte jo i mjaftueshëm për t’u kthyer në formën më të mirë. E nisi garën mirë, psiqikisht ishte mirë, çdo këshillë e përfillte me gjakftohtësi. E donte shumë rezultatin, të arrinte te medalje, por ndodhi çka ndodhi. Një sportiste e madhe që bashkë me Norën ndoshta po shkojnë në një pension ta quajmë ashtu sa i përket karrierës sportive, por besoj se të dyja do të mbesin në xhudo. Loriana sigurisht se do të vazhdojë jetën e saj në Zvicër. Nora shpresoj shumë të jetë pjesë e ekipit tonë, afër meje, Malindës e Fatosit, e të vazhdojmë të punojmë tutje”.