Qyteti i Kosovës, Peja, duket si një qytet mjaft i zakonshëm. Por këtu bëhen kampionët.
Shkoni në parkun e qytetit dhe dëshmia është atje - një statujë e Majlinda Kelmendit, garuesja e parë kosovare që fitoi një medalje të artë olimpike.
Ajo fitoi çmimin më të lartë në Lojërat Olimpike në vitin 2016 në Rio, në konkurrencën e xhudos 52 kg.
“Majlinda Kelmendi ishte e para që solli në Kosovë medalje olimpike. Peja është e njohur për xhudo. Kjo nuk ishte e fundit, ndërsa presim medalje të tjera në Lojërat Olimpike të ardhshme në Paris”, thotë studenti pejan Ersan Bertakiq.
Në Pejë është shtëpia e xhudistëve, Qendra Nacionale e Xhudos. Dhe ata duan më shumë medalje në Lojërat Olimpike të Parisit.
Kosova dërgoi një ekip prej nëntë sportistësh në Lojërat Olimpike, përfshirë pesë sportistë të xhudos.
Pas suksesit të Kelmendit në Brazil, Kosova fitoi edhe dy medalje të arta në Lojërat “Tokio 2020” – të dyja nga xhudo.
Distria Krasniqi ishte kampione për kategorinë deri 48 kilogramë dhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë.
Pra, a mundet një garuese tjetër ta zërë vendin e parë në podium?
“Ne kemi shpresa të mëdha nga ekipi ynë. Mendoj se kemi trajnerin më të mirë në botë dhe disa nga sportistët më të mirë në botë. Kjo do të jetë Olimpiada jonë e tretë me medalje, shpresojmë. Të gjithë jemi të përgatitur. Shpresojmë për më të mirën. Kosova është një nga shtetet më të forta për xhudo dhe ne do ta dëshmojmë përsëri”, thotë Zymer Zeka, ndihmëstrajner i xhudos në Kosovë.
Komiteti Olimpik i Kosovës u bë anëtare e 205-të e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar më 9 dhjetor 2014.
Sportistët e Kosovës garuan për herë të parë në Lojërat Olimpike në Rio.
“Kosova tani po merr pjesë në Lojërat e treta Olimpike në Paris 2024. Edhe pse jemi një popull shumë i vogël, me më pak se dy milionë banorë, jemi krenarë që tashmë kemi tri medalje të arta olimpike. Kjo krenari dhe ky pasion na japin motivimin për të ecur përpara dhe për të punuar edhe më shumë. Shpresojmë që në Paris do të bëjmë edhe më mirë dhe se bashku do të shkëlqejmë sërish”, thotë Besim Aliti, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Në ceremoninë e hapjes së sivjetshme flamurin e Kosovës do ta mbajnë Nora Gjakova, fituese e medaljes së artë nga Tokio, dhe vëllai i saj Akili.