Dhjetëra gazetarë vrapuan drejt zonës ku boksieret zakonisht ndalen dhe japin deklarata. Por, Lin Yu Ting nuk u ndal para tyre. E shoqëruar nga tre trajnerë ajo shmangu pjesën ku jepen intervistat për transmetuesit e Lojërave Olimpike, ndërsa nuk u afrua as te gazetarët e shumtë.
Një prej trajnerëve të saj u ndal dhe tha pak fjalë që mezi përktheheshin nga gazetarët e mediave më të fuqishme të botës.
Interesimi shumë i madh i gazetarëve nuk është shumë i zakonshëm për boksin olimpik të grave. Por, meçi mes Lin Yu Tin të Taipeit Kinez dhe Sitora Turdibekova të Uzbekistanit nuk ishte i zakonshëm.
Është dhe do të mbetet prej meçeve më të përfolur të Parisi 2024 e ndoshta edhe në histori të Lojërave Olimpike.
Lin Yu Ting fitoi bindshëm ndaj Turdibekovas, 5:0. Dominoi plotësisht në ringun e sallës “North Paris Arena” të mbushur me shikues e gazetarë.
Në raundin e parë vetëm njëri prej gjyqtarëve ia dha fitoren uzbekes e katër të tjerë Yu Tinit. Në dy raundet tjera, Yu Ting Lin ishte e pakonkurrencë.
Tema e dy boksiereve që vjet u përjashtuan nga Botërori e tani po paraqiten në Lojërat Olimpike është aktualisht më e përfolura në “Parisi 2024”. Prandaj edhe numri i madh i gazetarëve ishte i pritur.
Një ditë më parë, Imane Khelif e Algjerisë fitoi për 46 sekonda ndaj një boksiereje nga Italia. Në fakt italiania u tërhoq në shenjë revolte.
Khelif e Yu Ting janë diskualifikuar vjet nga Botërori që e organizon IBA “pasi dështuan të përmbushin rregullat” e kësaj organizate. IBA thotë se ndalon boksieret me kromozome XY të burrave që të garojnë në konkurrencë të grave. Pra ka diskutime nëse dy boksieret kanë të drejtë të garojnë me boksieret tjera për shkak të “pranueshmërisë gjinore”.
Por, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e pranon IBA-në dhe po ashtu vendimin e saj për suspendimin e boksiereve e vlerëson të padrejtë. Thotë se dy boksieret aktualisht janë duke u përballur me “agresion”.
Ka pasur shumë reagime pas fitores së algjerianes ndaj italianes. Në rrjete sociale është shkruar edhe se ishte fitore e një burri ndaj një gruaje. Komente të kësaj natyre, disa prej figurave shumë të përcjella, kanë bërë që IOC-ja të reagojë.
Derisa italiania e ndali luftën që në raundin e parë, uzbekja Sitora Turdibekova i shkoi tri raundeve deri në fund.
Niveli fizik ishte plotësisht në anën e Lin Yu Ting. Ajo po ashtu dha goditje dukshëm më të forta gjatë gjithë meçit. Dhe kështu me fitore me vendim unanim vazhdon rrugën drejt medaljes në kategorinë deri 57 kilogramë.
Turdibekova nuk ka mundur të kontrollojë emocionet dhe është larguar me sy të përlotur nga ringu.
Po ashtu nuk ia dha dorën kundërshtares, ndërsa njëjtë veproi edhe trajneri i saj.
Yu Ting ka dy tituj të botës dhe dy tituj të Azisë. Ajo ka 40 fitore e 14 humbje në karrierë, ndërsa është favoritja kryesore për medalje të artë.
Për dy boksieret do të vazhdojë të flitet edhe në ditët e ardhshme. Dhe përfundimisht rasti i tyre do të jetë prej temave kryesore nga Olimpiada madhështore e Parisit.