Paris 2024

Japonezi Shinnosuke fiton garën interesante në gjimnastikë

Shinnosuke Oka

Foto: AP

Në sallën e njohur për garat e xhudos, të famshmen “Bercy”, të mërkurën pasdite është zhvilluar gara finale në gjimnastikë në të gjitha veglat.

Pas një gare jashtëzakonisht interesante, titullin e kampionit në “All-around” e fitoi japonezi Shinnosuke Oka. Ai mblodhi 86.842 pikë. 

Japonezi Shinnosuke Oka e fitoi garën e fortë me dy kinezët, Zhang Boheng dhe Xiao Routeng. Zhang Boheng i mblodhi 86.599 pikë, ndërsa Xiao Ruoteng 86.364 pikë. 

Boheng garoi i fundit në hekurin gjimnastikor dhe në gjithë garën. Paraqitjen e kishte impresive dhe shikuesit e pritën në ethe vendimin final të gjyqtarëve. Zhang Boheng megjithatë nuk mori pikët e mjaftueshme për ta kaluar Shinnosuke Okan, që e kishte përfunduar pak më herët pikën e tij në hekurin gjimnastikor, por ashtu në mënyrë impresive. 

Shinnosuke Oka është vetëm 20-vjeçar, ndërsa  në Lojërat Olimpike të Parisit e fitoi të artën edhe në konkurrencë ekipore. Është  edhe kampion i Azisë në të gjitha veglat, ndërsa ka suksese edhe si junior. Dhe tani është kampion olimpik. 

Në Tokio, tri vjet më parë, të artën e kishte fituar japonezi Daiki Hashimoto. Pritej që ai të luftonte për të artën me Bohengun, por Oka doli në skenë dhe rrëmbeu të artën.
Ai ka impresionuar në të gjitha veglat.

Gara në të gjitha velgat përfshin paraqitjen e gjimnastëve në të gjitha gjashtë disiplinat. Pikët mblidhen dhe shpallet më i miri. 24 finalistët u ndanë në katër grupe. 

Fillimisht ata garuan në kalin me doreza, unaza gjimnastikore, dysheme dhe kalin pa doreza. Më pas gara vazhdoi edhe në paralele dhe në hekurin gjimnastikor. Pikërisht gara në hekur bëri dallimin që ishte shumë i vogël.

Në raundet e para kishte “dështime” të vogla nga shumë prej garuesve. Por kështu u dalluan ata që luftuan për titull.

Ndonëse gara ishte shumë interesante dhe dramatike, salla “Bercy” nuk ishte përplot e mbushur. Janë parë vende të lira në disa pjesë të arenës shumë të bukur.

Gjimnastika artistike te meshkujt nuk ka yll të madh si te femrat, ky amerikania Simone Biles është shumë e famshme. Po ashtu amerikanët nuk janë garuesit më të fortë dhe kjo bën që interesimi të mos jetë si te gjimnastet.

Japonia e Kina e kishin fjalën kryesore edhe në garën ekipore dhe fituan të artën e të argjendtën. E bronzta i takoi SHBA-së. 

Kanë mbetur garat e gjimnastëve në vegla. Shpallet kampioni i secilës vegël.