Paris 2024

Italianët ankohen, IJF-ja paraqet faktet e pakontestueshme për fitoret e Kosovës

Xhudo

Italia nuk e ka fituar asnjë medalje në katër ditët e para të garave të xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Dhe këtë italianët e kanë përjetuar shumë rëndë.

Italia vlerësohet prej vendeve më të suksesshme në Evropë sa i takon xhudos. Në Paris dy prej më të mirëve të Italisë janë ndalur pikërisht nga xhudistët e Kosovës.

Dhe italianët kanë bërë akuza lidhur me referimin.

“Nuk ka kuptim të flasim për referimin pasi në Olimpiadë protagonistë duhet të jenë xhudistët e jo referët. Kështu që preferoj të mos u jap shumë rëndësi”, ka thënë trajneri i italianes Odette Giuffrida pas garës së saj në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo humbi në gjysmëfinale nga Distria Krasniqi e më pas humbi edhe për medalje të bronztë. Gjyqtari ishte i njëjtë në të dyja luftërat.

Akuza kanë ardhur edhe nga Komiteti Olimpik i Italisë dhe nga Federata italiane e xhudos.

Por reagimi dhe përgjigjja e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos ishin të menjëhershme dhe të fuqishme.

IJF-ja ka shpjeguar se si bëhet delegimi dhe se si ka rrjedhur lufta e Distrisë me Giuffridan. Lufta ishte shumë e fortë, por Distria e kishte iniciativën e vazhdueshme. Dhe në fund Giuffrida e pësoi dënimin e tretë dhe kështu fitorja me Ippon i takoi xhudistes kosovare. Ajo në fund e fitoi të argjendtën, ndërsa Giuffrida mbeti e pesta.

“Akuzat e  raportuara nga mediat italiane dhe të paraqitura nga Federata italiane janë krejtësisht të pabaza. Të gjitha vendimet merren në bazë të një analize të qartë dhe të saktë të elementeve faktike të çdo lufte, duke iu përmbajtur plotësisht rregullave në fuqi. Deklaratat e anëtarëve të Federatës italiane nuk kanë asnjë bazë në fakt. Rregullat respektohen, verifikohen dhe zbatohen. Federata Ndërkombëtare e Xhudos është e përkushtuar ndaj vlerave të sportit dhe kodit moral të xhudos. Kjo është arsyeja pse IJF-ja i kushton vëmendje të veçantë respektimit të rregullave dhe parimeve, sidomos në Lojërat Olimpike. Në xhudo nuk ka vend për manipulime”, shkruan ndër të tjera në përgjigjen e gjatë e me shumë fakte të IJF-së.

Është paraqitur edhe rrjedha e plotë e luftës mes Krasniqit dhe Giuffridas. Distria i kishte pesë sulme, Giuffrida dy. Distria nuk e kishte asnjë sulm fals, Giuffrida dy. Dhe sulmet false natyrisht penalizohen. Plot shtatë herë Giuffrida ka rënë në gjunjë, që është e palejuar. Ndërkohë Distria nuk e kishte asnjë shkelje të tillë.

Dhe fitorja e saj në bazë të fakteve të paraqitura nga IJF-ja ishte më shumë se e merituar.

Ndërkohë Akil Gjakova e mposhti italianin Manuel Lombardo në çerekfinale të kategorisë deri 73 kilogramë. Lufta po ashtu u vendos me dënime. Akili ishte dominues dhe kërkoi vazhdimisht hedhjen. Në fund Akili përfundoi i pesti, ndonëse iu afrua shumë pranë medaljes. I pesti ishte edhe Lombardo.

IJF-ja e ka paraqitur edhe rrjedhën e luftës mes Akilit dhe Lombardos. Ka dëshmuar që fitorja e xhudistit kosovar ishte e pakontestueshme. Akili i kishte shtatë sulme, ndërsa Lombardo katër. Sulme false, italiani i kishte dy e Akili asnjë.

Me përgjigjen e menjëhershme dhe me plot fakte, IJF-ja i ka dhënë fund një diskutimi të mundshëm lidhur me rregullsinë e këtyre dy dueleve.

Ka pasur ankesa edhe në Kroaci lidhur me fitoren e Laura Fazliut ndaj kroates Katarina Krishto, në luftë për medalje të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë. Por shkelja e rregullave nga Krishto ishte evidente. Ajo bëri kapje të gabuar në këmbë, që evidentohet me rregullat e xhudos si “aksion i palejuar”. Dhe komisioni i gjyqtarëve të IJF-së, që analizon përmes videos secilën lëvizje e secilin aksion, penalizoi kroaten me dënimin e tretë. Dhe fitorja e medalja e bronztë ishin për Laurën.

Tentime për të kontestuar fitoret e sukseset e jashtëzakonshme të xhudos kosovare ka vazhdimisht. Madje edhe nga brenda, në Kosovë. Por ekipi i kryemjeshtrit Driton Kuka u përgjigjet atyre me suksese të reja dhe gjithnjë e më të mëdha.