Paris 2024

IJF dhe EJU thurin lavde për xhudon e Kosovës

Trajneri Driton Kuka dhe dy medalistet e "Parisi 2024", Distria Krasniqi e Laura Fazliu

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) dhe Federata Evropiane e Xhudos (EJU) thurin lavde për suksesin e arritur të xhudos së Kosovës në Lojërat Olimpike "Parisi 2024" që përfunduan të dielën.
Kosova fitoi dy medalje olimpike në Paris. Të argjendtën e fitoi Distria Krasniqi në kategorinë deri 52 kilogramë, kurse Laura Fazliu të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë. Akil Gjakova përfundoi i pesti, që po ashtu vlerësohet arritje e madhe. Dhe, falë sukseseve të ekipit të udhëhequr nga kryemjeshtri, Driton Kuka, Kosova është në mesin e shteteve pjesëmarrëse që nga Parisi janë larguar me medalje olimpike. Pra, Kosova ishte në mesin e 91 vendeve me medalje të fituara, ndërsa plot 115 shtete kanë mbetur pa medalje në Lojërat Olimpike Verore që u hapën më 26 gusht dhe u mbyllën të dielën në mënyrë madhështore. 

Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) të hënën ka pranuar dy letra nga dy inistucionet, ajo botërore dhe evropiane e xhudos.

"Puna dhe aftësia juaj e palodhur kanë bërë që të fitoni një medalje të argjendtë dhe një të bronztë për Kosovën gjatë Lojërave Olimpike 'Paris 2024'. Shpresojmë që këto arritje të frymëzojnë brezin e ri, duke shërbyer si modele dhe duke kontribuar në zhvillimin dhe njohjen e xhudos në mbarë botën", thuhet ndër të tjera në letrën zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Letra dërguar FXHK-së, mbanë firmën e presidentit Marius Vizer, drejtorit të përgjithshëm Vlad Marinescu dhe sekretares, Lisa Allan.

Për suksesin e Kosovës në Paris, fjalë të mëdha në letër ka shkruar edhe presidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, Laszlo Toth.

"Ky sukses në Lojërat Olimpike tregon talentin dhe shpirtin e jashtëzakonshëm brenda federatës tuaj. Unë vlerësoj thellësisht projektet tuaja në promovimin dhe avancimin e sportit tonë, duke kontribuar ndjeshëm në imazhin e xhudos në skenën evropiane dhe botërore", ka shkruar Toth.
Letrën e IJF-së dhe EJU-së, Federata e Xhudos e Kosovës i ka publikuar të hënën. Por për punën e trajnerit Kuka dhe drejtuesve të Federatës, IFJ dhe EJU kanë pasur edhe në të kaluarën.
Garat e xhudos janë përcjellë nga një numër i madh shikuesish në Paris. ka pasur edhe luftëra goxha interesante. Prej luftërave më të mira të shfaqura në Paris është vlerësuar edhe e xhudistit Akil Gjakova. 

Krahas Akilit, Distrisë dhe Laurës, në Paris janë paraqitur edhe fituesja e medaljes së artë olimpike tri vjet më parë në Tokio, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka. Kjo e fundit u ndalë në luftën e dytë, kurse Nora në luftën e parë. Por fitimi i dy medaljeve në Paris është vlerësuar arritje e madhe. Tani Kosova i ka pesë medalje olimpike nga tre edicionet pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike, "Rio 2016", "Tokio 2020" dhe së fundi "Paris 2024".