Gjermania ka avancuar në gjysmëfinale të turneut olimpik të hendbollit në “Parisi 2024”, pasi në sekondat e fundit ka fituar të mërkurën përballë nikoqires, Francës.
Gjermanët fituan me rezultatin 35:34, për ta ndalur në gjysmë ëndrrën e francezëve që synonin medaljet e arta në të dyja konkurrencat.
Pas eliminimit nga turneu, është pensionuar nga sporti i hendbollit edhe legjenda franceze, Nikola Karabatiq.
Ai u përshëndet para 27 mijë të pranishmëve në palestër.
Franca ishte në epërsi 29:28 në sekondat e fundit të kohës së rregullt. Më pas, hendbollistët francezë nuk e shfrytëzuan mundësinë për ta ruajtur topin të cilin e humbën dhe lejuan që Renars Uscins i Gjermanisë, të shënonte në sekondën e fundit dhe ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, pasi rezultati ishte 29:29.
Golin e fitores në fund të vazhdimit, e shënoi Uscins përsëri.
Për Francën në sekondën e fundit nuk shënoi Valentin Porte dhe ndeshja u mbyll në të mirë të gjermanëve.
Portieri David Spath i Gjermanisë ishte më meritori për avancimin e Gjermanisë tutje, me pritjen vendimtare.
“Mendoj se në mijëra herë tjera, e njëjta gjë nuk do të ndodh sërish. Ndoshta është e pamundur. Por mendoj se kjo është çmenduri”, ka thënë kapiteni i Gjermanisë, Johannes Golla.
Në gjysmëfinale, Gjermania do të luajë kundër Spanjës që fitoi 29:28 ndaj Egjiptit.
Gjysmëfinalet e hendbollit luhen të premten.