Që në kthesën e parë të vrapimit në 800 metra, Gresa Bakraçi mbeti shumë metra prapa shtatë atleteve tjera që garuan në baterinë e pestë.
Distanca sa shkonte e rritej, ndërsa në fundin e xhiros së dytë, dallimi ishte dhjetëra metra.
Vrapimi në 800 metra nuk është disiplina e preferuar e Gresës, por ajo mori ftesë për universalitet pikërisht për këtë disiplinë.
Në fund rezultati i atletes kosovare ishte 2 minuta, 13 sekonda e 29 të qindëtat. E parafundit në bateri kishte kohë prej 2:03.91 minuta. Baterinë e pestë e fitoi Tsige Duguma e Etiopisë me kohë prej 1:57.90 minuta.
Gresa nuk i është afruar rekordit personal e as kohës më të mirë të edicionit.
Rekordin personal të evidentuar e ka 2:07.67 minuta. Këtë vit 800 metra i ka vrapuar për 2:07.88 minuta.
Në atmosferën madhështore në “Stade de Francë”, në praninë e 80 mijë shikuesve, të premten mbrëma, atletja pejane nuk e gjeti veten më së miri.
Ajo mbeti e fundit prej të gjitha 49 atleteve që e përfunduan garën kualifikuese në 800 metra. Vetëm edhe dy atlete tjera kishin kohë mbi 2:10 minuta.
Prej ekipit olimpik të Kosovës ka mbetur të garojë vetëm edhe notarja Hana Beiqi. Ajo garon të shtunën.