Kampionia e trefishtë olimpike, britanikja Charlotte Dujardin, është detyruar të tërhiqet nga lojërat oOlimpike “Parisi 2024” për shkak të një videoje në të cilën shihet duke goditur një kalë në mënyrë të përsëritur në këmbë, gjatë një ecjeje të ngadaltë të kalit. Kështu ka raportuar të martën “Telegraph”.
Në fakt, tërheqja e Dujardinit ka bërë bujë në Britani të Madhe.
Garuesja në disiplinën e kalërimit synonte të bëhej olimpistja më e suksesshme në histori të Britanisë së Madhe. Ajo tha se nuk ka asnjë justifikim dhe se është thellësisht e turpëruar për “gabimin në gjykim” gjatë një seance stërvitore.
Videoja është bërë plot katër vjet më parë dhe u publikua në prag të Lojërave të Parisit. Atë e nxori nga arkiva një person që ka angazhuar një avokat holandez për ta aktualizuar çështjen. Një medium në Holandë besohet se e publikoi videon fillimisht.
Dujardin njoftoi përmes rrjeteve sociale se është tërhequr nga të gjitha garat, ndërsa Federatat Ndërkombëtare për Sportet e Kuajve (FEI) po e heton incidentin.
Publikimi i videos zuri në befasi përgjegjësit e ekipit të Britanisë së Madhe. Drejtuesit e kalërimit në Britani nuk ishin të njoftuar për incidentin.
“Ajo që ndodhi ishte krejtësisht jashtë karakterit tim dhe nuk pasqyron mënyrën se si unë i stërviti kuajt e mi, apo se si ua mësoj sportin nxënësve të mi. Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim”, tha Charlotte Dujardin në një deklaratë.
“Më vjen shumë turp dhe duhej të kisha dhënë një shembull më të mirë në atë moment”.
Bota e sporteve me kuaj është shumë e vetëdijshme për perceptimin e publikut lidhur me mirëqenien e kafshëve që përdoren në sport. Në Paris është një oficer i veçantë që kujdeset për mirëqenien e kuajve.
39-vjeçares Dujardin i duhej medalja nga ndonjëra prej ngjarjeve për t’u shkëputur në krye të listës së olimpisteve më të dekoruara britanike. Aktualisht e ndan vendin e parë me Dame Laura Kenny, me nga gjashtë medalje gjithsej.
“Një video e bërë katër vjet më parë është shfaqur tani dhe më paraqet duke bërë një gabim gjykimi gjatë një seance stërvitore”, vazhdon deklarata e sportistes së suksesshme.
“Është e kuptueshme që Federatat Ndërkombëtare për Sportet me Kuaj është duke hetuar dhe unë mora vendim që të tërhiqem nga të gjitha garat, përfshirë Olimpiadën e Parisit, ndërkohë që ky proces zhvillohet. Unë do të bashkëpunoj plotësisht me të gjitha palët e përfshira dhe nuk do të komentoj më deri në përfundim të procesit”.
Dujardini fitoi medaljen individuale dhe ekipore me kalin Valegro në “Londra 2012”. Vazhdojë me të artë individuale dhe të argjendtë ekipore në Rio katër vjet më pas. Me kalin tjetër, Gio, ajo i fitoi dy të bronzta në Tokio.
Ajo ishte caktuar të garonte në disiplinën “dressage” në konkurrencë individuale dhe ekipore në Parisi 2024.