Paris 2024

Gjakova: Isha afër, nuk ndalem pa fituar medaljen olimpike

Akil Gjakova

Xhudisti pejan Akil Gjakova është shprehur i kënaqur me paraqitjen e tij në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ku përfundoi i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë. Por, Akili në një prononcim për KOHËN ka thënë se asnjë rezultat tjetër pos medaljes nuk e bën të lumtur. 

Akili ka thënë se dy medalje i mungojnë si sportist – ajo botërore dhe olimpike – dhe do të vazhdojë punën për t’i arritur këto. 

“Paraqitjen në përgjithësi e kam pasur të mirë. Shortin e pata pak më të vështirë, gjatë rrugës kam hasur në kampionë botëror e evropian. Krahas paraqitjes së mirë, kam ardhur për medalje këtu. Asnjë rezultat tjetër s’më kënaq. Kthehemi në shtëpi e vazhdojmë tutje. Do të punoj më tepër me realizuar ëndrrën. Synimi im është të kem gjitha medaljet e mundshme. Dy medalje më mungojnë me plotësu karrierën time si sportist, ajo botërore e olimpike. Kështu që do të vazhdojmë”, ka thënë Gjakova. 

Gjakova kishte arritur deri në gjysmëfinale, ku pas një lufte të barabartë u ndal nga kampioni botëror, Hidayet Heydarov pas kohës shtesë. Heydarov fitoi të artën olimpike më pas. 

Në luftën për medalje të bronztë, Akili u mposht nga japonezi Soichi Hashimoto, kampioni i shumëfishtë botëror.