Lojërat Olimpike Verore do të hapen zyrtarisht të premten në mbrëmje. Pak para fillimit është hapur një debat për pjesëmarrjen me shami të sprinteres franceze Sounkamba Sylla.
“Je garuese për Lojërat Olimpike që zhvillohen në vendin tënd, por nuk mund të marrësh pjesë në ceremoninë e hapjes sepse je me shami”, është ankuar Sylla në Instagram.
Franca, e cila e sheh veten si vend laik, ka rregulla strikte për ndarjen e shtetit nga feja. Ndalohet shamia në shkolla dhe për nëpunësit civilë. Nuk ka asnjë ndalim ligjor në sport. Për shembull, shamitë mund të mbahen në tenis, por jo në futboll, shkruan “Blick”.
Ministri francez i Sportit njoftoi për ndalimin e shamisë për Lojërat Olimpike në Paris ditë më parë, ndërsa Komiteti Olimpik i Francës ka njoftuar se është gjetur një zgjidhje. Sprinterja franceze duhet të mbajë kapelë në ceremoninë hapëse.