Është vetëm blloku preliminar. Është mëngjesi i së shtunës me shi në Paris, por lum njerëzish presin në radhë për të hyrë në arenën “Champ de Mars”.
Prej orës 10:00 fillojnë luftërat e xhiros së parë në kategorinë deri 48 kilogramë te xhudistet dhe kategorinë deri 60 kilogramë te xhudistët. Organizatorët kujdesen për të ngrohur atmosferën para se të nisin luftërat. Tribunat në sallën e bukur mbushen shpejt me shikues.
Shumica janë entuziastë të sportit e të olimpizmit. Janë entuziastë e njohës të mirë të xhudos.
Francën, e sidomos Parisin, e dallon edhe kjo: njohuria për xhudon dhe lidhja e shikuesve me këtë sport. Kjo vërehet më së shumti në Grand Slamin e famshëm të Parisit, por është e qartë edhe në ditën e parë të garave të xhudos në Lojërat Olimpike.
Secili aksion i bukur përjetohet nga shikuesit në tribuna. Secila hedhje. Për secilin uazari e sidomos për secilin “Ippon” ka duartrokitje. Kur nuk ka aksione kryesisht është qetësi. Dëgjohen trajnerë e xhudistë që janë në tribuna e që përkrahin të afërmit e tyre.
Më shumë entuziazëm ka kur në tatami dalin xhudistët e Francës e po ashtu ata të Japonisë. Shirine Boukli e Francës ka përkrahje të zhurmshme që në luftën e parë me turken Tugce Beder. Festa pas fitores së francezes është e madhe.
Këtë atmosferë të veçantë do ta përjetojnë edhe pesë xhudistët e Kosovës. E para do të jetë Distria Krasniqi që të dielën garon në kategorinë deri 52 kilogramë. Distria në Tokio ishte kampione olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë. Prej të shtunës nuk është kampione në fuqi e kësaj kategorie, por gjithnjë do të njihet si fituese e medaljes së artë olimpike në xhudo.
Ajo synon medalje një kategori “më lartë”, atë deri në 52 kilogramë.

Të hënën garojnë Nora Gjakova e Akil Gjakova. Nora e mbron titullin olimpik në kategorinë deri 57 kilogramë. Akili kërkon suksesin në kategorinë deri 73 kilogramë.
Të martën, Laura Fazliu kërkon lavdinë në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa të enjten garon Loriana Kuka, e fundit prej xhudistëve të Kosovës.
Në përballje me francezet, që nuk pritet të mungojnë, xhudistet e Kosovës do ta kenë tifozërinë kundër. Por këtë ndjenjë e kanë përjetuar tashmë. Dhe e kanë kaluar me sukses.
Se xhudoja është prej sporteve kryesore në Paris vërehet qartë që në nismë të bllokut preliminar të ditës së parë të garave, ndonëse kategoritë deri 48 kg dhe deri 60 kg nuk janë më interesantet. Entuziazmi sa shkon e rritet për ditët e ardhshme.
Se xhudoja e ka primatin tashmë në programin olimpik, sa i takon sporteve luftarake, as kjo nuk ka dyshim.
Plot 36 xhudistë kanë mbajtur flamurin e vendit të tyre në ceremoninë hapëse. Pra 28 për qind e vendeve që garojnë në xhudo e kishin një garues me flamur në ceremoninë e shkëlqyer hapëse, të premten mbrëma në lumin Sena.
“Ceremonia hapëse ishte festival i xhudos”, ka shkruar me mburrje sajti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Ikona franceze e xhudos, Teddy Riner kishte nderin më të madh. Ai ndezi flakën olimpike në mbyllje të ceremonisë hapëse, së bashku me atleten ikonike Marie-Jose Perec.
Rritja e xhudos si sport ka rëndësi edhe për Kosovën. Kosova tashmë ka disa prej xhudistëve më të mirë në botë, që ushtrojnë nën urdhrat e kryemjeshtrit Driton Kuka. Ekipi i vogël i Kosovës në xhudo është bërë me “vepër të madhe” dhe është zhvilluar krahas rritjes së përgjithshme të xhudos.
Se xhudoja kosovare ka nivel superior pritet të dëshmohet prej të dielës e tutje. Në “Champ de Mars Arena” do të flitet edhe shqip.