Paris 2024

Dy herë kampionia olimpike me program ambicioz në Paris

Sifan Hassan

Holandezja Sifan Hassan synon t’i mbrojë titujt e saj olimpik të arritur tri vjet më parë në Lojërat Olimpike të mbajtura në Tokio në garën 5000 dhe 10 mijë metra. 

Hassan do të marr pjesë edhe në maratonën e Parisit, ndërsa ka hequr dorë nga gara 1500 metra. Hassan në Tokio fitoi të bronztën në 1500 metra. 31-vjeçarja fillimisht ishte regjistruar për t’u paraqitur në 1500 metra, por më pas u tërhoq. 

Hassan nis garën e saj olimpike të premten në 5000 metra. Gara 10 mijë metra parashihet të mbahet më 9 gusht. “Jam vërtet kurioze se çfarë do të ndodhë”, u tha gazetarëve vrapuesja e lindur në Etiopi. 

Ajo ka folur edhe për garën e maratonës, që pritet të jetë e ndërlikuar, me shumë kodra. “Jam vërtetë nervoze për maratonën, por ndonjëherë është më mirë kur jam nervoze. Ia dal më mirë. Ndoshta do të dalë mirë”, ka thënë ajo.

Në mars të këtij viti, ajo doli e katërta në maratonën e Tokios.